Detaje të reja janë zbardhur lidhur me vrasjen e 58-vjeçarit Renato Hoxhaj mëngjesin e sotëm në lagjen “Hajro Çakërri” në Vlorë. Në momentin që është qëlluar me armë zjarri, ai po punonte si roje në një objekt në ndërtim, shumë pranë banesës ku jetonte.
Siç raporton korrespondentja e Klan News Greta Haskaj, ndaj tij është shtënë 3 herë, ndërsa ka qenë bashkëjetuesja e Hoxhajt ajo që ka njoftuar policinë.
“Ai ka punuar prej vitesh te ky subjekt. Dyshohet se ai ka marrë 1 plumb në trup dhe 2 në kokë. Bashkëjetuesja e tij ka dëgjuar të shtënat dhe ka dalë në ballkon”, raportoi gazetarja.
Paraprakisht thuhet se viktima nuk rezulton me konflikte apo precedent të mëparshëm kriminal. Policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë në zonë dhe po vijon me hetimet për zbardhjen e ngjarjes së rëndë, të regjistruar rreth orës 06:00 të kësaj të Diele./tvklan.al