Spitali Rajonal i Elbasanit ka reaguar në lidhje me vdekjen e 25 vjeçares, e cila ndërroi jetë ditë e sotme pas lindjes. Në këtë reagim thuhet se e reja e identifikuar si Rexhina Debrova, ka gjetur vdekjen për shkak të komplikacionit postoperator “tromboemboli pulmonare” dhe jo nga neglizhenca e personelit mjekësor.
Spitali sqaron se 25-vjeçarja ka shkuar me shtatëzëni të vonuar 42 javësh, gjë e cila ka krijuar komplikacione të pacientja duke i shkaktuar vdekjen.
Humbja ka tronditur tej mase familjarët të cilët hedhin akuza ndaj mjekëve për ndërhyrje me vonesë.
Sipas tyre, Rexhina ishte nisur për në maternitet pasi i kanë nisur dhimbjet. Por është futur në operacion 3 orë me vonesë. Ata kërkojnë që të ndëshkohen menjëherë mjekët përgjegjës.
Policia ka shoqëruar në komisariat dy gjinekologë, një kardiolog dhe mjekun reanimator. Ndërkohë do të jetë autopsia ajo që do të saktësojë shkakun e vdekjes se 25 vjeçares
LEXO EDHE: 25-vjeçarja ndërron jetë pas lindjes, familjarët akuzojnë mjekun
Reagimi
Pacientja R. D u paraqit në spital më datë 22.04.2019 në orën 10:25 paradite. Pacientja ka ardhur me urgjencë në spital, me barrë të vonuar 42 – javëshe dhe është futur menjëherë në sallë, ku mjekët asistuan lindjen e fëmijës, i cili erdhi në jetë në orën 11:50. Foshnja u reanimua dhe gëzon shëndet të mirë. Stafi mjekësor ka dhënë trajtimin maksimal, por nëna e re dyshohet se pësoi komplikacion postoperator tromboemboli pulmonare, e papajtueshme me jetën. Aktualisht priten rezultatet e ekspertizës mjeko-ligjore për shkakun e vdekjes së nënës./ Opinion.al E.Xh.