Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka bërë apel për kujdes dhe përgjegjshmëri për të përballuar situatën nga koronavirusi, pas konfirmimit të 2 rasteve të para në vendin tonë.
Me anë të një postimi në rrjete sociale, Basha shprehet se të gjithë do duhet të bëjmë sakrifica në mënyrë që të luftohet përhapja e tij.
“Asnjë vend nuk është imun ndaj rrezikut të koronavirusit, dhe tani që kemi rastet e para të konfirmuara edhe në Shqipëri, është më e rëndësishme se kurrë që të gjithë të reagojmë me kujdes dhe me përgjegjshmëri.
Të gjithëve do na duhet të bëjmë sakrifica në mënyrë që të luftojmë përhapjen e virusit: të kujdesemi shumë për higjienën tonë personale, të kufizojmë udhëtimet dhe nëse nuk ndihemi mirë të rrimë në shtëpi. Sot nuk është koha për panik, por për masa të shpejta dhe të vendosura”, shkruan Lulzim Basha.