Një 16-vjeçar në Tepelenë është plagosur aksidentalisht me armë zjarri nga shoku i tij.
Uniformat blu bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur gjatë paradites rreth orës 10:20, ku 16-vjeçari E. Gj. dyshohet se aksidentalisht ka plagosur në këmbë shokun e tij me armën e të atit, punonjës policie.
I mituri me iniciale O.V. ndodhet në spital në gjendje jashtë rrezikut.
Ndërkohë bëhet me dije se është pezulluar nga detyra babai, punonjës policie, inspektor T. Gj., dhe ndaj tij ka nisur hetimi disiplinor.
“Rreth orës 10:20, ka shkuar në spital, për të marrë ndihmë mjekësore, shtetasi O. V., 16 vjeç, banues në Tepelenë.
Shtetasi O. V. ndodhej në banesën e shokut të tij, shtetasit E. Gj., 16 vjeç, dhe dyshohet se aksidentalisht është plagosur në këmbë prej tij me armën e shërbimit të shtetasit T. GJ., punonjës policie në DVP Gjirokastër (babai i shtetasit E. Gj.). 16-vjeçari O. V. është duke marrë ndihmë mjekësore dhe nuk ka rrezik për jetën.
Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër ka pezulluar nga detyra, punonjësin e Policisë, inspektor T. Gj., dhe Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ka nisur ndaj tij, hetimin disiplinor. Gjithashtu, AMP ka nisur hetimin administrativo-penal për këtë rast”, tha policia.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje./Opinion.al