Në mungesë të rregullave të qarta dhe me periudha kur sundon thjesht anarkia, ndihmat humanitare janë kthyer në fushëbetejën kryesore të luftës për pushtet në Gaza. Mbi dy milionë palestinezë mbështeten te ndihmat për të mbijetuar, ndërsa kontrolli mbi to po përcakton se kush ka ndikim real në terren.
Prej muajsh, qeveria izraelite e Benjamin Netanyahut përdor ushqimin dhe barnat si mjet presioni politik, me dy objektiva kryesorë: përqendrimin e popullsisë në jug të Rripit të Gazës dhe pengimin që ndihmat të përfundojnë në duart e Hamasit.
Sipas autoriteteve izraelite, plani ka funksionuar në jug. Pikërisht atje, në zonën ku Izraeli kërkon të grumbullojë popullsinë, ndihmat shpërndahen nga një organizatë e quajtur “Fondacioni Humanitar i Gazës”, e krijuar nga aktorë amerikanë dhe e afërt me qeverinë izraelite.
Kamionët me ndihma futen nga pika kufitare Kerem Shalom, kalojnë përmes Rafahut dhe shoqërohen nga forcat izraelite dhe nga një grup islamik i quajtur Abu Shabab, i lidhur me qeverinë egjiptiane. Ky grup, në këtë fazë, po përpiqet të paraqitet si një alternativë ndaj Hamasit. Për këtë arsye, drejtuesi i tij është i dënuar me vdekje nga vetë Hamas.
Krejt ndryshe është situata në veri të Gazës, ku ndodhen rreth një milion banorë, veçanërisht në qytetin Gaza dhe rrethinat. Së fundmi, disa ndihma arritën përmes pikës kufitare Zikim, në veri-perëndim, jo larg zonave të sulmuara më 7 tetor 2023. Sigurinë gjatë kalimit e garantuan grupe vendore, të përbëra nga familje dhe klane të fuqishme tradicionale, që nuk kanë axhendë politike, por mbajnë strukturat shoqërore të Gazës.
Këto familje kanë arritur një marrëveshje me udhëheqësit e mëparshëm: marrin rreth 20% të ndihmave që arrijnë, të cilat më pas përdoren nga Hamas për të furnizuar luftëtarët dhe familjet e tyre. Për të ndaluar këtë rrjedhje, Izraeli ka mbyllur kalimin nga Zikim. Kështu, ndihmat që arrijnë në veri janë ato që udhëtojnë nëpër gjithë Rripin, nga Kerem Shalom.
Pasi mbërrijnë në destinacion, ndihmat shpërndahen nga familjet e mëdha ose nga grupet e shoqërisë civile që kanë mbijetuar nga lufta, apo që janë krijuar pas saj. Këto funksionojnë si një lloj qeverisjeje vendore në çdo lagje dhe, për shumë njerëz në Gaza, përfaqësojnë një shpresë për të ardhmen.
Në mes të këtij kaosi janë edhe Kombet e Bashkuara. Nga 19 maji, OKB-ja ka sjellë në Gaza rreth 800 kamionë ndihma, një rritje e ndjeshme krahasuar me bllokimin e plotë të javëve të mëparshme, por sërish shumë larg nevojave reale. Për shpërndarjen, OKB mbështetet tek të njëjtat grupe lokale që siguruan kalimin nga Zikim, por nuk shoqërohen me eskortë të armatosur, një vendim që synon të ruajë pavarësinë e saj, edhe pse ka sjellë disa sulme ndaj kamionëve.
Sipas një punonjësi të Programit Botëror të Ushqimit, situata ka ndryshuar: “Më parë na sulmonin njerëz të armatosur. Sot, janë qytetarë të uritur, shumë prej tyre gra, që kërkojnë thjesht diçka për të ngrënë.”/tvklan.al