Bashkia e Tiranës ka zyrtarizuar çmimet e aboneve, pas vendimit të këshillit bashkiak për rritjen e çmimit të biletës. Duke filluar nga data 1 shkurt, qytetarët e Tiranës, që përdorin transportin urban, do të paguajnë më shtrenjtë edhe për abonetë. Më herët u diskutua për një rritje të çmimit të abonesë së përgjithshme në masën e 50%, ndërsa të abonesë për një linjë të vetme në masën e 75%, rritje shumë e kontestuar nga banorët e Tiranës, edhe pse nuk kanë mundësi për të ndryshuar më asgjë. Dje burime zyrtare në Bashkinë e Tiranës konfirmuan se çmimi për një abone linje nga 900 lekë, që ka qenë deri më tani, do të bëhet 1200 lekë dhe nuk do të ketë më rritje tjetër, ndërkohë që çmimi i abonesë së përgjithshme nga 1200 lekë, që ka qenë do të bëhet 1600 lekë, çmim që po ashtu nuk do të pësojë rritje në vazhdim. Të vetmit që do të përjashtohen nga ky shpenzim janë studentët, për të cilët aboneja e tyre e posaçme, do të kushtojë 6 mijë lekë, sa kushton aktualisht, pra nuk do të rritet, pas këmbënguljes së anëtarëve të lëvizjes socialiste në këshillin bashkiak, të cilët vendosën si kusht mosrritjen e çmimit të abonesë për këtë kategori. Vendimi për rritjen e çmimit të biletës së autobusit dhe të aboneve u miratua në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak, për vitin 2015, me votat e mazhorancës në këshill, pavarësisht argumenteve kundër nga këshilltarët e djathtë/ gazetashqip