Edhe pse që në rikthimin e tij në krye të PD që mban vulën e partisë, Lulzim Basha nuk ka ndërmarrë asnjë aksion opozitar, ai është zotuar në 33-vjetorin e gazetës “Rilindja Demokratike” se do të çlirojë median në Shqipëri.
Gjatë fjalës së tij, Basha tha se media është kapur “rob” nga qeveria “Rama” dhe për këtë arsye theksoi ai PD që drejtohet prej tij krahas betejës elektorale me Ramën, do i kushtojë vëmendje të veçantë lirrisë së medias.
“U urojmë medias dhe punonjësve të saj një vit të mbarë dhe një vit kthese për lirinë e shtypit. Ne demokratët kemi probleme jo të vogla me imazhin dhe perceptimin e imazhit. Pjesë e kësaj është edhe gazeta Rilindja Demokratike. Duhet të reflektojmë dhe kemi një vullnet dhe besim të rigjetur për të reflektuar siç jemi zotuar 33 vite më parë, për të ndërtuar ura komunikimi me shoqërinë, grupet e interesit dhe individët që përbëjnë shoqërinë shqiptare. Zotimi i im i parë sot është se PD duke nisur me shpalosjen e programit të saj në vijim zotohet se do çlirojë median shqiptare nga robëria dhe lidhjet me pushtetin që ka zhbërë misionin kryesor të medias”, u shpreh ai.
33-vjetori i gazetës “Rilindja Demokratike” edhe këtë vit u festua me demokratët të ndarë. Mbështetësit e Berishës këtë ditë e përkujtuan para banesës së ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili ndodhet nën masën e sigurisë “arrest shtëpia”. Nga ana tjetër, mbështetësit e Bashës, këtë ditë e festuan në ambientet e një hoteli në Tiranë.