Nga Edison YPI
Në një nga diamantet lasgushianë të quajtur “Dimër”, është kjo strofë,
Në kaq heshtje e qetësi
Ndjej vajtimthin e një shpesi
Psherëtin me zë të tij
Jet’ e trembur se mos vdesi.
Pra Jeta e trembur se mos vdesi, loton e psherëtin me zërin e mekur të një shpesi, apo zogu.
Ja si i ka përkthyer këtë magji frymëndalëse të elokuencës poetike përkthyesi i njohur Robert Elsie,
In such peace and tranquillity
I hear a bird lament,
Letting out a faint sigh,
Frightened to leave this life.
Pra, sipas Elsit, nuk psherëtin Jeta nga frika se mos vdesi, por Zogu nga frika se mos ngordhi.
Lajthitjen makabre të përkthyesit do ta kisha harruar si harrojmë rrëfimet rrenacake të gjahtarit i cili kur qëllon me plumb një sorkadhe, e quan sport, ama nëse atë vetë e kafshon një ujk, e quan krim. Por nuk më la ta harroj vetë Elsi i cili para pak ditësh në një intervistë tha se shqiptarët thonë se kanë Histori heroike, por Histori nuk kanë.
Aty kuptova, dhe më erdhi shumë keq, që përkthyesi dhe divulguesi i gjithënjohur Robert Elsi, Historinë e Shqipërisë dhe shqiptarët i ka kuptuar po aq sipërfaqsisht sa psherëtimën e Jetës përmes Zogut të Lasgushit.
Ne shqiptarët prekemi thellë dhe bëhemi të hidhët kur na i cënojnë gjenialët. Asnjë shqiptar serioz, i mëparshëm apo bashkohas, nuk beson se të parët e tij janë dashuruar me zana, kanë tharë dete, kanë thërrmuar male, kanë grisur qiej, kanë përdorur shpata të rënda për të vrarë e prerë turq e serb e grekë.
Për të sjellë një shembull, kam dëgjuar me veshët e mi një nga shqiprarët më seriozë, vetë Lasgushin, të thotë se; Jemi dy mijë vite mbrapa botës dhe tetqint vite anash.
Është e vërtetë se shumë shqiptarë të cilët nga lindja në vdekje në dorë mbajnë lugën, kanë bindjen se të parët e tyre e kanë çarë Historinë me shpatë në dorë. Madje rilindasit dhe historiografët e kurvit sa i përket historisë së çarë në këtë mënyrë, takohen. Por për arësye diametralisht të kundërta. Rilindasit sepse deshln ta ndezin, dhe e ndezën sa mundën, zjarrin. Zoqt e kurvit për ta bërë miletin që të besojë se historia, shpata, malet, detet, dhe të gjitha të tjerat ishin të tyret.
Historia jonë nuk është as e lavdishme as e palavdishme. Histori jonë është histori mbijetese.
Nuk është as meritë as e metë, por fakt që një popull i vogël me gjuhë të vjetër të dëshmuar i detyruar të mbijetojë mes mes dy qytetërimeve të lashra, nuk mund të ishte ndryshe veçse një mpleksje marramendëse vështirësisht e kuptueshme, njëkohësisht; madhështor si të dy ato qytetërime, dhe zero si asnjeri prej tyre.
Ashtu si ka jetë të pazëshme individësh, ka histori të pashkruara popujsh. Shumë më tepër se Historinë ta shkruajnë, me shkabë si të Skënderbeut, Zog si të Lasgushit, harabel si të Elsit, shqiptarëve u është dashur ta përballojnë.
Janë tepër të rrallë të huajt që ja kanë kapur fillin shqiptarëve dhe Shqipërisë. Prandaj jo rrallë ndeshemi me të shkruarit e historisë tonë mbijetuese gjeniale si vargjet e Lagushit, në mënyrë keqkuptuese si përkthimi i Elsit. Megjithatë e mirkuptojmë keqkuptimin që rrjedh nga pamundësia e scribave për ta konstatuar sofistikimin, dhe, pasi i mëshirojmë, i falim.