Situata në fshatin Kalasë të Delvinës paraqitet e rënduar dhe serioze pasditen e kësaj të diele, ku zjarri po përhapet i favorizuar nga era e fuqishme që fryn në zonë. Zjarri ka rrezikuar seriozisht banesat dhe infrastrukturën pranë zonës së banuar, duke krijuar alarm tek banorët.
Në aksion janë angazhuar zjarrfikësit e Delvinës dhe Sarandës, efektivë të Forcave të Armatosura, si dhe zjarrfikës nga Baza e Mbështetjes së Emergjencave Civile. Për të përforcuar përpjekjet për shuarjen e zjarrit, Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se në zonë po operon edhe një helikopter i tipit Black Hawk, i cili po realizon hedhje uji mbi vatrat e zjarrit.
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, dhe Kryetari i Bashkisë Delvinë, Besmir Veli, ndodhen në terren, ku po ndjekin nga afër operacionin në mbështetje të banorëve dhe përpjekjet për minimizimin e rrezikut për jetën e qytetarëve.
Kujtojmë se në tre fshatra të Delvinës, dy ditë më parë u urdhërua evakuiimi i banorëve të rrezikuar për shkak të situatës kritike, e cila më pas u duk sikur u qetësua. Operacionet për shuarjen e zjarrit pritet të vazhdojnë edhe gjatë orëve në vazhdim, ndërsa situata mbetet nën vëzhgim të vazhdueshëm.

















