Objektivi i vetëm te Reali është fitimi i titullit kampion në La Liga, për tu renditur para Barcelonës, si dhe fitimi i Champions League. Një fakt të cilin e dinte më së miri Rafa Benitez, i përzënë nga shtëpia e madrilenëve pas vetëm pesë muaj eksperiencë, ndërsa tashmë e di më së miri edhe pasardhësi i tij, Zinedine Zidane. Kur kanë kaluar vetëm pak ditë nga kualifikimi për në turin çerekfinal të Champions League, falë fitores 2-0 ndaj Romës, trajneri francez, në një deklaratë për mediat, u shpreh se nuk kishte siguri mbi të ardhmen e tij. “Nuk di as nëse do të qëndroj për sezonin e ardhshëm”, ishte përgjigja e Zizou për ata që e pyesnin mbi merkaton.
“Si mund të di se cili do të jetë roli im në fushatën e blerjeve?”, vijoi reagimi i Zidanë ndaj mungesës së garancive mbi vijimësinë e tij në krye të pankinës së Real Madrid. Ndërkohë, nuk është një mister që klubi i drejtuar nga Florentino Perez, prej disa kohësh tashmë ka vënë në objektiv yjet më të çmuar të kampionateve në europë. Emri i parë në listë është ai i juventinit, Pogba, por gjithashtu edhe portieri i Manchester United, De Gea. “Personalisht mund të deklaroj vetëm faktin që jam shumë i kënaqur me portierët që kam në dispozicion”, përfundoi Zidane.