Kreu i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, që pak minuta më parë ka nënshkruar koalicion parazgjedhor me Lidhjen Demokratike të Kosovës, që udhëhiqet nga Isa Mustafa, ka thënë se LDK është partner i natyrshëm.
“Gjërat nuk arrihen me dhunë, por me vepra dhe me punë. Me LDK-në do të implementojmë synimet tona, programin tonë. Jam i bindur se qytetarët masivisht do të dalin në zgjedhje, për çka edhe i ftoj të dalin në zgjedhje sepse ka ardhur koha e ndryshimit”, ka thënë Pacolli pas nënshkrimit të koalicionit në rezidencën e tij, njofton Klan Kosova.
Pacolli ka thënë poashtu se nuk është folur për postet, të cilat do t’i ketë AKR, e cilat LDK.
“Nuk kemi folur për poste, ne gjithmonë kemi kërkuar një platformë nga ku mund ta ndryshojmë Kosovën. AKR dhe LDK do ta ndryshojnë Kosovën”, ka thënë Pacolli.
“Tani ka lindur një koalicion i mbarë, një koalicion i punës, i ndryshimit. Tani ka ardhur fundi, dinjiteti duhet tu kthehet qytetarëve”, ka përfunduar ai.
LDK ka lidhur koalicion gjatë ditës edhe me partinë Alternativa, që udhëhiqet nga Mimoza Kusari-Lila, dhe me Lëvizjen për Drejtësi.
Kësisoj, Pacolli dhe Kusari ribashkohen në një listë, pas largimit të kësaj të fundit nga AKR’ja e Pacollit, ku ishte nënkryetare.
Afati për deklarimin e koalicioneve në Komision Qendror të Zgjedhjeve përfundon në mesnatë.
Vendi më 11 qershor shkon në zgjedhje, pasi Qeveria, e udhëhequr nga Isa Mustafa, u rrëzua përmes një mocioni të inicuar nga Nisma.