Bajram Begaj u gjet në shkelje nga Gjykata Kushtetuese. Dekreti i tij për të caktuat një datë zgjedhjesh edhe për Bashkinë e Tiranës, u konsiderua jo kushtetues nga ana Gjykatës, e cila unanimisht pezulloi zgjedhjet ne kryeqytet.
Gjykata Kushtetuese vendosi njezëri të kalojë çështjen me kërkues Erjon Veliaj në seancë plenare publike në datë 31 Tetor 2025 dhe të pezullojë Dekretin e Presidentit për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve në Bashkinë Tiranë.
Bajram Begaj në dekretin e tij shprehte bindjen se shkarkimi i Veliajt nuk implikonte Gjykatën Kushtetuese, duke trajtuar shkarkimin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës si një procedurë të zakonshme që mund të ankimohej në Gjykatën Administrative.
Në Dekretin e Begajt thuhet se “Nga praktika dokumentare e çështjes rezulton, se Këshilli i Ministrave ka referuar tek kuadri ligjor, i cili përcakton se shkarkimi për ‘mosparaqitje në detyrë për një periudhë 3-mujore të pandërprerë’ përbën rast të ndryshëm nga shkarkimi ‘për shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve’, gjë që do të thotë se nuk zbatohet juridiksioni kushtetues për të drejtën e ankimit, por juridiksioni gjyqësor administrativ”.
Por me vendimmarrjen e Gjykatës, tashmë edhe dekreti i Begajt ka pësuar një mutacion duke lënë në fuqi zgjedhjet për pesë bashki të tjera, Matin, Cërrikun, Beratin, Vlorën dhe Tepelenën, ndërsa për kryeqytetin, të tre kandidatët që shprehën ambicien do të duhet të presin derisa Gjykata të flasë, e cila do të thotë edhe fjalën e fundit nëse shkarkimi i Veliajt ishte i drejtë apo jo, ç’ka lë të hapur mundësinë e rikthimit të mandatit në qelinë e paraburgimit.