Duket se “kriza” në Partinë Demokratike, është transferuar edhe në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në prag të zgjedhjeve të pjesshme vendore të 6 marsit. PD ka legjitimuar si përfaqësues të saj Indrit Sefën, Sekretar për çështjet ligjore e zgjedhore si edhe Marash Logun, duke ia hequr këtë përfaqësim Ivi Kasos, mbështetës i ish-kryeministrit Sali Berisha.
Në mbledhjen e sotme, ka qenë Ivi Kaso, ai që ka kundërshtuar përfaqësuesit e PD-së zyrtare në komision pasi sipas tij i ka dërguar Lulzim Basha që nuk është më kryetar. Sipas tij edhe vula e Partisë Demokratike ka ndryshuar që më 11 dhjetor.
“Ju uroj suksese në procesin e dekretuar nga Presidenti. I bëj me dije KQZ, jemi në një periudhë zgjedhore, perfaqësimi vijon automatikisht, nuk kemi ende subjekt zgjedhor në garë. I bëj me dije KQZ për një fakt të bërë publik, edhe Kuvendi i Shqipërisë, lidhur me faktin që që prej dhjetorit 2021, jo vetëm nënshkruesi i letrës nuk është më kryetar i PD, sigla dhe vula e PD, kanë ndryshuar në raport me ato të depozituara në procesin e 25 prillit.”- u shpreh Kaso.
Ndërkohë Kreu i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Celibashi, u përgjigj se raporti i KQZ me një parti politike është institucional.
“Në pikëpamje të ligjit raporti i një partie politike me KQZ-në është një raport i vazhdueshëm, edhe në atë jo zgjedhore. Me gjithë keqardhjen që kam në lidhje me këtë situatë, duhet të pranojmë që jemi në marrëdhënie institucionale. Ai që është përfaqësues ligjor i saj ka konsideruar se cilët do të jenë përfaqësuesit e saj në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Opinionet dhe mendimet e PD-së nnë lidhje me aktet janë ato që do të prezantojnë nga Indrit Sefa dhe Marash Logu”, tha Celibashi.