Kryeministri Edi Rama deklaroi se zgjedhjet e 11 majit kanë një rëndësi më të madhe për vendin sesa të mëparshmet.
Në mbledhjen me grupin parlamentar socialist në Kryesinë e Kuvendit, Rama tha se pesha e gjeopolitikës nuk ka qenë e pranishme sic është në këto zgjedhje.
Sipas tij, zgjedhjet e 11 majit nuk janë aspak të zakonshme dhe rezultati i tyre është më shumë sesa fitore e PS në vetvete.
“Disa mendime në një mbledhje që është pak e pazakontë por të marrim parasysh traditën e procesit të përgatitjes të skuadrës kombëtare të PS, sepse unë besoj që edhe vetë situata, edhe vetë rëndësia, edhe vetë konteksti i këtyre zgjedhjeve është shumë i pazakontë. Dhe besoj që është me rëndësi të veçantë që të gjithë ne që jemi këtu, familja jonë e madhe politike të vetëdijësohet sa më shumë për rëndësinë e jashtëzakonshme të këtyre zgjedhjeve në një kontekst të jashtëzakonshëm gjeopolitik.
Besoj që qysh se unë kam privilegjin të udhëheq këtë forcë politike dhe në të gjitha zgjedhjet e deri sotme, 9 të tilla në asnjë prej tyre pasha e gjeopolitikës nuk ka qenë e pranishme siç është në këto zgjedhje. Këto zgjedhje zhvillohen në një kontekst dyfish të jashtëzakonshëm, njëri kontesti i marrëdhënieve tona me BE dhe BE me Shqipëriën dhe Ballkanin Perëndimor dhe tjetri është konteksti i anëtarësimit sonë në aleancën euroatlantike dhe sigurisë në tërësi.
Zgjedhjet e 11 majit nuk janë aspak të zakonshme dhe rezultati i 11 majit është më shumë sesa rezultat i partive politike apo në rastin tonë është më shumë sesa fitore e PS në vetvete. Për ne si familje politike dhe për flamurin tonë ka qenë gjithmonë e rëndësisë të veçantë që të fitojmë zgjedhjet. Por në 11 Maj rëndësia e fitores dhe vetë rezultati i zgjedhjeve kanë një peshë mbi të ardhmen e afërt të vendit shumë më të madhe sesa ckanë pasur më përpara 9 herë me radhë”, tha Rama.