Ukraina ka prova se Rusia synon të shkaktojë një luftë mes shteteve ballkanike. Paralajmërimi vjen nga presidenti Volodimir Zelensky, i cili në komentet për mediat afrikane ngre alarmin se pas Lindjes së Mesme, Rusia do të shpërqendrojë vëmendjen e botës, me një krizë në rajonin e Ballkanit. Zelenski pretendon se Rusia dhe aleati i tij Irani qëndrojnë pas ngjarjeve në Izrael.
“Kushtojini vëmendje Ballkanit. Më besoni, ne kemi siguruar informacione. Rusia ka një plan të gjatë. Kishim fillimisht Lindjen e Mesme dhe shpërqendrimi i dytë do të jetë Ballkani”, u shpreh Zelensky.
Teksa paralajmëron sfida të reja, Zelensky thotë se nëse partnerët e Ukrainës nuk bëjnë asgjë tani, një shpërthim i ri do të pasojë.
Marrëdhëniet mes vendeve të Ballkanit Perëndimor kanë qenë në krizë për një kohë të gjatë. Prandaj Rusia do të investojë për t’u siguruar që njëri shtet të hyjë në luftë me tjetrin. Ai përmendi gjithashtu Moldavinë ku tha se rusët kanë filluar të trazojnë ujërat dhe janë të interesuar për të larguar qeverinë aktuale pro-europiane.