Rinumërimi në Qarkun e Fierit solli një ndryshim sa i përket shpërndarjes së mandateve brenda Partisë Socialiste.
Zegjine Çaushi, kandidatja që u bë virale në rrjetet sociale për shkak të “përplasjes” me kreun e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, humbi mandatin me 10 vota diferencë përballë Maldrita Bardhos.
Çaushi pas rinumërimit rezultoi se kishte 48 vota të pamerituara, pra në total 4026 vota. Bashkëngjitur edhe votat e diasporës, 600 të tilla, numri total shkoi në 4626 vota për të.
Por nga ana tjetër, Maldrita Bardhos i ishin hequr padrejtësisht 26 vota. Nga kutitë e hapura rezultoi se kishte 3616 vota në total. Ato që i hapën “derën e fitores” ishin 1020 votat e diasporës. Në total për Bardhon u bënë 4636 vota, pra 10 më shumë se Çaushi, por mjaftueshëm për t’i marrë mandatin.
Kandidatja socialiste Zegjine Çaushi mori vëmendjen në rrjetet sociale gjatë fushatës elektorale për 11 majin pas “thumbave” me Gazment Bardhin.
“Gazooo, ome ku je?!”, ishte shprehja e saj në disa nga videot që publikonte.
Kjo “përplasje” solli reagime të ndryshme, edhe mes opinionit publik, që pas përfundimit të numërimit të parë për Fierin duket se po prisnin një “përballje” mes të dyve në parlament. Por rinumërimi “shoi” shpresat për një debat mes të dyve nga foltorja./tvklan.al