Vjedhja e banesës së Getoar Selimit e Marina Vjollcës ka ndodhur në momentin që çifti nuk ndodhej në shtëpi. Por autore e kësaj ngjarjeje është vajza 17 vjeçare e pastrueses që çifti kishte punësuar për t’u kujdesuar për shtëpinë, gjatë kohës që ata nuk ndodheshin aty.
Vajza me inicialet D.K., tashmë e arrestuar, gjatë kohës që shoqëronte të ëmën teksa pastronte shtëpinë, ka marrë fshehurazi saj orën e markës “Hublot” të Getoarit dhe më pas është larguar bashkë me nënën drejt shtëpisë së saj në Kamzë.
Sipas Policisë, atje vajza është takuar me të dashurin e saj, shtetasin Mërgim Lala, po ashtu i arrestuar, dhe ia ka dhënë atij orën që kishte vjedhur. Policia, kur është lajmëruar për ngjarjen, duke qenë se nuk kishte shenja të hyrjes me dhunë në shtëpi, ka dyshuar menjëherë te pastruesja. Mësohet se ajo ka dhënë ndihmesë për identifikimin e autorëve. Policia ka kryer kontroll në banesën e 20vjeçarit Lala dhe aty është gjetur ora e vjedhur. Zyrtarisht policia ka njoftuar se vajza është ajo që ka realizuar vjedhjen, ndërsa djali është arrestuar pasi ora u gjet e fshehur në banesën e tij. “Më datë 24 korrik, u arrestuan në flagrancë shtetasit D.K. dhe Mërgim Lala, 17 dhe 20 vjeç, banues në Kamzë, pasi dyshohet se te ‘Kodra e Diellit’, në banesën e shtetasit Getoar Selimi, 34 vjeç, shtetasja D.K., ka vjedhur një orë me vlerë 35 mijë euro dhe e ka fshehur në banesën e shtetasit Mërgimi Lala”, tha në njoftimin zyrtar Policia e Tiranës. Rastësi e bukur mund të thuhet, është se këngëtari është fqinj me Ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri./ Etleva Delia Panorama.al