Policia e Gjirokastrës ka zbardhur ngjarjen e rëndë të vrasjes së biznesmenit italian Edoardo Sarchit, ngjarje e ndodhur në orët e para të së shtunës (27 shtator). Mësohet se personi që është shpallur në kërkim për vrasjen është Kamber Sulçaj 48 vjeç nga fshati Mesaplik i Vlorës.
Motiv i krimit dyshohet të ketë qenë një konflikt banal. Siç mësohet, mes autorit të dyshuar dhe viktimës, si dhe personave që e shoqëronin atë, pati një konflikt të çastit. Ky debat u përshkallëzua më pas deri në përdorimin e armës.
Grupi hetimor i Policisë dhe Prokurorisë së Gjirokastrës ka në dispozicion prova të vlefshme që dokumentojnë ngjarjen. Konkretisht, përmes kamerave të sigurisë në segmente të ndryshme rrugore, hetuesit kanë mundur të dokumentojnë itinerarin e lëvizjes së autorit të dyshuar përmes makinës së tij ngjyrë të bardhë.