Ministria e Mbrotjes ka zbardhur të gjithë ngjarjen e paradites së sotme të ndodhur në ujërat e Sarandës, ku në media u fol për një pragpërplasje midis flotës ushtarake greke dhe asaj shqiptare. Sipas MM: “Sot rreth orës 10:50, në ujërat bregdetare në zonën Qefal – Himarë, u konstatua një anije peshkimi me flamur shqiptar, e cila ishte në vijën fundore të kufirit detar me Greqinë.
Roja bregdetare e palës greke, njoftoi palën shqiptare se anija e peshkimit me emrin “Mario 1” e kompanisë “Fama” Sarandë, i ishte afruar kufirit detar të shtetit fqinj.”
Ministria e Mbrojtjes më tej sqaron se: “menjëherë strukturat e Policisë Kufitare në Sarandë kanë shoqëruar kapitenin e anijes së peshkimit në Komisariatin e Policisë Kufitare dhe Migracionit.
Me qëllim respektimin e legjislacionit ndërkombëtar që rregullon kufijtë ujorë mes dy vendeve, Policia Kufitare ka marrë masat e nevojshme duke i tërhequr vëmendjen kapitenit të anijes së peshkimit.”