Ka raportuar sot në Kuvendin e Shqipërisë Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela. Ai bëri një raportim të përgjithshëm për punën vjetore të institucionit që drejton por edhe po iu përgjigjet pyetjeve të deputetëve në Kuvend.
Çela nuk i shpëtoi pyetjes së Gazment Bardhit në lidhje me dosjen “Xibraka”.
Bardhi iu drejtua duke i thënë se vetë ai si prokuror i kësaj dosje la pa hetuar kokat e atij që kreu i grupit parlamentar i quajti grup i strukturuar kriminal.
Gazment Bardhi: Latë pa hetuar ata që njihen si kokat e këtij grupi kriminal. Në udhëzimet tuaja, këtë standard hetimi a ja rekomandoni vartësve tuaj në prokurorinë e rretheve. Dhe së dyti, dekonspirimi a duhet të hetohet, a ja rekomandoni vartësve tuaj?
Olsian Çela: Do i referohem asaj që tha drejtuesja e seancës që ky është një raportim për punën e prokurorisë për vitin 2023. Është në detyrën time si prokuror i përgjithshëm dhe detyrën tuaj si deputet që ti përmbahemi kuadrit kushtetues dhe ligjor që siguron trajtimin e këtij raportimi në funksion të interesit të qytetarëve.