Opinion.al
Nuk ka rezultat
View All Result
KONTAKT
  • Hyrja
  • Kryesore
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Sociale
  • Unë shkruaj
  • Komente
  • Bota
  • Sport
  • InstaBIZ
  • OPINION WEB TV
    • Emisionet
    • U tha në Opinion
    • Si u Veshën
  • Life Style
    • Shëndeti
    • Jetë dhe Stil
    • Teknologji
    • Kulturë
Opinion.al
Nuk ka rezultat
View All Result

Vuçiç nuk arrin të gjejë gjuhë të përbashkët me studentët

2025/02/05 at 4:00 PM
në Rajoni, Te Fundit
Kohë leximi: 6 min
A A
Vuçiç nuk arrin të gjejë gjuhë të përbashkët me studentët

Rënia e Qeverisë së Serbisë nën presionin e protestave – përmasat e të cilave Serbia nuk i ka parë që nga koha e regjimit të Sllobodan Millosheviqit – mund të jetë humbja e parë politike për presidentin e këtij vendi, Aleksandar Vuçiq, prej se ka marrë pushtetin në vitin 2012.


Protestat udhëhiqen nga studentët. Ata nuk kërkojnë ndryshimin e Qeverisë, por përgjegjësi për vdekjen e 15 personave nga shembja e një strehe në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit, më 1 nëntor të vitit të kaluar.

Në qendër të protestave janë dyshimet se aksidenti mund të jetë shkaktuar nga neglizhenca dhe korrupsioni i përhapur.

Ato janë bërë tashmë simbol i pakënaqësisë më të madhe me sundimin e ligjit në Serbi.

“Kjo nuk është vetëm kriza më e rëndë politike e pushtetit, por edhe një krizë e thellë sociale. Studentët nuk kërkojnë ndërrimin e Qeverisë, por korrigjimin e sistemit. Dhe, Vuçiq nuk është në gjendje ta gjejë çelësin e bravës që kanë vendosur”, thotë për Radion Evropa e Lirë analisti serb i politikës së jashtme, Boshko Jakshiq.

Kur Vuçiq i fton në bisedime, studentët thonë se ai nuk është kompetent.

Kërkesave të tyre u janë bashkuar edhe profesorë universitetesh, pedagogë, juristë e fermerë.

Disa mësimdhënës kanë pezulluar mësimet në shkolla, Oda e Avokatëve e Serbisë ka hyrë në grevë njëmujore, fermerët janë duke “ruajtur” me traktorë bllokadat që studentët u kanë bërë mbi 60 fakulteteve…

Studentëve u janë bashkuar edhe dhjetëra mijëra qytetarë të tjerë në protesta, përfshirë gjimnazistë, punonjës të shëndetësisë, inxhinierë, aktorë, muzikantë dhe personalitete të shumta publike.

Ndryshime në raportimin e transmetuesit publik

Radio-Televizioni i Serbisë (RTS), i cili i ka injoruar kryesisht protestat, ka hapur programin e lajmeve fundjavën e kaluar me protestat në Novi Sad.

Raportimi i transmetuesit publik, i cili është nën kontroll të rreptë të pushtetit, është përcjellë me pamje me dronë, të cilat kanë treguar dhjetëra mijëra njerëz duke protestuar dhe duke bllokuar tri ura mbi lumin Danub.

Partia Përparimtare Serbe e Vuçiqit ka reaguar me një deklaratë, ku ka akuzuar RTS-në për “shpërdorim të rëndë të profesionit të gazetarit” dhe për “anim nga politikanët që duan ta shkatërrojnë rendin kushtetues të Serbisë”.

Partia në pushtet ka thënë, gjithashtu, se do të kërkojë reagim nga institucionet që janë përgjegjëse për mbikëqyrjen financiare dhe programore të RTS-së.

Kjo nuk është hera e parë që presidenti i Serbisë e kritikon RTS-në, por transmetuesi publik, deri më tani, ka ndjekur narrativin e autoriteteve, që protestuesit i quajnë “mercenarë të huaj”, “tradhtarë” ose “kukulla të opozitës”.

“Qartazi, RTS-ja ka reaguar ndaj presionit të studentëve dhe publikut të gjerë dhe ndoshta kjo është pasojë e një atmosfere tjetër në të gjithë shoqërinë. Përgjigjja e autoriteteve ishte e tillë që RTS-ja të mos shkonte më larg. Diçka e ngjashme ka ndodhur edhe në disa protesta të mëparshme”, thotë për Radion Evropa e Lirë Nikolla Burazer nga Qendra joqeveritare për Politikë Bashkëkohore në Serbi.

Kërkesat për ndryshim të udhëheqjes

Pas disa protestave masive para ndërtesës së RTS-së, për shkak të mënyrës së raportimit, atyre u janë bashkuar edhe disa punonjës të transmetuesit publik, duke kërkuar ndryshimin e udhëheqjes.

Protesta me kërkesa të ngjashme janë duke organizuar edhe disa punonjës të Radio-Televizionit të Vojvodinës (RTV).

“Në programin e parë të televizionit nuk kemi mundur t’i dëgjojmë studentët, kërkesat e tyre, qytetarët, rrëfimet analitike…”, tha për Radion Evropa e Lirë Tamara Srijemac, gazetare në Radion Novi Sad, e cila vepron në kuadër të RTV-së.

Më 3 shkurt, derisa transmetohej edicioni qendror i lajmeve, disa punonjës të RTV-së organizuan një performancë jashtë ndërtesës, duke lexuar “ditarin e lirë”.

“Kemi dashur të tregojmë se disa punonjës distancohen nga politikat e tilla editoriale”, tha Srijemac.

Drejtuesit e RTS-së dhe të RTV-së nuk iu përgjigjën pyetjeve të Radios Evropa e Lirë në lidhje me këtë temë.

Një skenar i ngjashëm i ka përcjellë edhe protestat e viteve 1990, kur transmetuesi publik i Serbisë ka qenë në shërbim të propagandës së regjimit të Sllobodan Millosheviqit.

Në prag të rënies së tij, që ka pasuar luftën në Kosovë dhe ndërhyrjen e NATO-s, presidenti aktual i Serbisë, Vuçiq, ka qenë ministër i Informacionit.

Vuçiq ka zbatuar një ligj famëkeq që është përdorur nga pushteti i atëhershëm për të goditur mediat e pavarura dhe gazetarët.

Ai ka vënë kontroll mbi mediat edhe pasi është kthyer në pushtet në vitin 2012.

Komisioni Evropian dhe organizata të tjera ndërkombëtare e përmendin këtë gjë në të gjitha raportet e përvitshme për Serbinë.
Mossukses në diskreditimin e protestave

Përveç transmetuesve publikë, pushteti në Serbi kontrollon edhe stacionet televizive private me mbulim kombëtar.

Tabloidët proqeveritarë janë, gjithashtu, një armë e fuqishme mediatike në përpjekjet për diskreditimin e protestave aktuale dhe të mëparshme.

“… por, pushteti, deri më tani, ka dështuar t’i arrijë efektet që mund t’i kishte arritur më herët. Vuçiq, shumë më lehtë, ka mundur t’i diskreditojë liderët e opozitës ose disa liderë të tjerë të protestave. Tani nuk mund ta bëjë”, thotë Burazer.

Gjatë fjalimeve të tij, Vuçiq i përshkruan protestat si “përpjekje nga jashtë dhe nga brenda për të përmbysur shtetin”.

“Regjimi i Vuçiqit korrespondon me atë që disa autorë e quajnë ‘spin diktaturë’, e cila, ndryshe nga diktatura e frikës, nuk bazohet në dhunë, arrestime masive, mbyllje mediash, por në manipulimin e opinionit publik, përdorimin e presionit ekonomik etj.”, thotë Burazer.

Edhe pse protestat kanë çuar në dorëheqjen e kryeministrit serb – njërit prej bashkëpunëtorëve më të afërt të Vuçiqit – ky i fundit nuk është duke sinjalizuar ndonjë tërheqje të mundshme.

Partia e tij dhe aleatët e saj kanë shumicë bindëse në Kuvendin e Serbisë.

Ai është i bindur, sikurse edhe më herët, se mund të sigurojë sërish fitore në zgjedhje.

“Dorëheqja [e kryeministrit] është pjesë e një strategjie të llogaritur për ta zhvendosur gjithë këtë krizë në planin politik dhe, nëse është e mundur, për të dalë nga kjo krizë përmes zgjedhjeve. Studentët i kanë vazhduar protestat e tyre pavarësisht dorëheqjes. Ndaj, aktualisht, duket se kjo manovër nuk ka funksionuar”, vlerëson Burazer.

Opozita i refuzon zgjedhjet, për shkak të, siç thotë, kushteve të pabarabarta, të cilat i ka vënë në dukje edhe Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).

Sipas tyre, bëhet fjalë për presion ndaj votuesve, blerje të votave, raportim të njëanshëm të mediave në favor të pushtetit dhe keqpërdorim të burimeve publike.

Si reagon bashkësia ndërkombëtare?

Edhe pse i akuzon “shërbimet e Perëndimit” për ndërhyrje, Vuçiq nuk është duke u përballur me ndonjë reagim të qartë nga bashkësia ndërkombëtare për ngjarjet në Serbi.

Bashkimi Evropian nuk ka sqaruar ende nëse i mbështet kërkesat e protestuesve.

Më 4 shkurt, Zyra e Vuçiqit ka njoftuar se ai ka folur në telefon me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Në deklaratë nuk janë përmendur protestat, por është thënë se është biseduar për “rrugën evropiane dhe proceset reformuese që po i zbaton Serbia”.

Nga Brukseli, deri më tani, nuk ka pasur ndonjë deklaratë për detajet e bisedimeve.

Shkak për heshtjen e Bashkimit Evropian, sipas analistit të politikës së jashtme, Boshko Jakshiq, është pritja që presidenti serb ta zgjidhë çështjen e marrëdhënieve me Kosovën.

“Por, nëse një politikë e tillë e tolerancës vazhdon, Bashkimi Evropian do të jetë i vetmi fajtor për rënien e popullaritetit të idesë dhe vlerave të BE-së në publikun serb”, thekson Jakshiq.

Rusia, në anën tjetër, i ka dhënë mbështetje të plotë Vuçiqit, duke i miratuar edhe mesazhet e tij se Serbia është viktimë e një komploti perëndimor dhe se shërbimet e huaja të inteligjencës janë duke i financuar protestat.

Reagimi i parë nga administrata e re amerikane ka ardhur nga i dërguari i presidentit Donald Trump për misione speciale, Richard Grenell, të cilit Vuçiq i ka dhënë medalje në vitin 2023 për “merita të shquara në zhvillimin e marrëdhënieve miqësore”.

Grenell ka shpërndarë një video të protestave të studentëve në rrjetin X më 26 janar dhe ka shkruar, mes tjerash, se “nuk ka mbështetje për ata që minojnë shtetin ligjor dhe pushtojnë me forcë institucionet shtetërore”.

Në protestat masive të organizuara nga studentët në Serbi nuk ka pasur incidente apo dhunë. Për sigurinë, në vend të policisë, kujdesen rojet studentore.

Mediat botërore, si The New York Times, i përshkruajnë ato si “shpërthimi më i madh i pakënaqësisë që nga demonstratat kundër regjimit të Millosheviqit në vitet 1990”./REL



Ju sugjerojmë

Fillimi i vitit 2025: Kërkesa e lartë për prona me kredi
Aktualitet

Fillimi i vitit 2025: Kërkesa e lartë për prona me kredi

10 Maj, 2025 5:33 pm
Budapesti dëbon diplomatë ukrainas, pasi Kievi zbuloi një rrjet hungarez spiunazhi
Bota

Budapesti dëbon diplomatë ukrainas, pasi Kievi zbuloi një rrjet hungarez spiunazhi

10 Maj, 2025 5:19 pm
VIDEO/ Përfshihet nga flakët autobusi në Durrës, detajet e para
Aktualitet

VIDEO/ Përfshihet nga flakët autobusi në Durrës, detajet e para

10 Maj, 2025 5:02 pm
Dodik: Do kërkoj nga Rusia mbështetje për sigurinë
Bota

Dodik: Do kërkoj nga Rusia mbështetje për sigurinë

10 Maj, 2025 4:52 pm
Mziu nxjerr videon:PS në terren me administratën, shpërndan para në këmbim të votës!
Aktualitet

Mziu nxjerr videon:PS në terren me administratën, shpërndan para në këmbim të votës!

10 Maj, 2025 4:33 pm
Incidenti në “Giro d’Italia”, rrëzohet çiklisti australian
Sport

Incidenti në “Giro d’Italia”, rrëzohet çiklisti australian

10 Maj, 2025 4:02 pm
1 shekull zgjedhje në Shqipëri/ Shqiptarët e diasporës votuan edhe në 1921
Aktualitet

1 shekull zgjedhje në Shqipëri/ Shqiptarët e diasporës votuan edhe në 1921

10 Maj, 2025 3:47 pm
Qytetari në Lezhë kallëzon kandidatin e PD, Gjin Gjoni: Më erdhi në banesë për votën
Aktualitet

Qytetari në Lezhë kallëzon kandidatin e PD, Gjin Gjoni: Më erdhi në banesë për votën

10 Maj, 2025 3:35 pm
“Votimi i shumëfishtë, krim”/ Celibashi: Mos e rreziko të ardhmen për një manipulim
Aktualitet

“Votimi i shumëfishtë, krim”/ Celibashi: Mos e rreziko të ardhmen për një manipulim

10 Maj, 2025 3:05 pm
Gramsh/Shembet masivi i dheut, humbin jetën dy të rinjtë që po punonin në kantier
Aktualitet

Gramsh/Shembet masivi i dheut, humbin jetën dy të rinjtë që po punonin në kantier

10 Maj, 2025 3:02 pm
Para
Shqipëria, mes 5 vendeve me uljen më të madhe të lindjeve

Shqipëria, mes 5 vendeve me uljen më të madhe të lindjeve

Ligjvënësit demokratë: Ndryshimet në agjencitë qeveritare nuk mund të bëhen në mënyrë sekrete

Ligjvënësit demokratë: Ndryshimet në agjencitë qeveritare nuk mund të bëhen në mënyrë sekrete

Dy 16-vjeçarët vjedhin me dhunë qytetarin në Vlorë

Sulmoi babë e bir dhe goditi njërin prej tyre me makinë, shpallet në kërkim 28-vjeçari në Krujë
















TE FUNDIT

Fillimi i vitit 2025: Kërkesa e lartë për prona me kredi

Fillimi i vitit 2025: Kërkesa e lartë për prona me kredi
10 Maj, 2025

Fillimi i këtij viti ka qenë i vrullshëm për tregun e pasurive të paluajtshme, veçanërisht për shkak të rritjes së...

Lexo më shumë

Budapesti dëbon diplomatë ukrainas, pasi Kievi zbuloi një rrjet hungarez spiunazhi

Budapesti dëbon diplomatë ukrainas, pasi Kievi zbuloi një rrjet hungarez spiunazhi
10 Maj, 2025

Agjencia kryesore e sigurisë e Ukrainës tha se ka zbuluar një rrjet spiunazhi të drejtuar nga Hungaria që po kërkonte...

Lexo më shumë

VIDEO/ Përfshihet nga flakët autobusi në Durrës, detajet e para

VIDEO/ Përfshihet nga flakët autobusi në Durrës, detajet e para
10 Maj, 2025

Një incident i rëndë ka ndodhur mesditën e kësaj të shtunë në qytetin e Durrësit. Raportohet se një autobus i...

Lexo më shumë

Dodik: Do kërkoj nga Rusia mbështetje për sigurinë

Dodik: Do kërkoj nga Rusia mbështetje për sigurinë
10 Maj, 2025

Lideri i serbëve të Bosnjës, Millorad Dodik, ka thënë të shtunën se do të kërkojë nga Rusia “njëfarë lloj mbështetjeje...

Lexo më shumë
Opinion.al

Kategoritë

Kryesore

Aktualitet

Unë Shkruaj

Komente

Bota 

Sport 

Instabiz

Opinion Web Tv

Lifestyle

Galeri

Rreth Nesh

ON AIR: E hene – E marte – E merkure – 22:15 E ejnte – 21:00

OPINION nga Blendi Fevziu. Emisioni politik me i ndjekur dhe me i preferuar ne ekranet shqiptare.
“Opinion” vjen ne kater takime cdo jave – e hene, e marte, e merkure dhe takimi tradicional i te ejntes mbrema.
Cdo jave ne studion e Tv Klan, komente, analiza, debate, komente, intervista, personazhe, deshmi dhe fakte konkrete. Ngjarjet me te fundit dhe me te rendesishme ne jeten politike dhe sociale te vendit, me debatet, opinionet dhe analizat e te ftuarve ne studio.
Salloni i politikes dhe aktualitetit hap dyert 4 mbremje ne jave, per te degjuar opinionet e politikaneve dhe analisteve. Padron i shtepise, gazetari dhe analisti Blendi Fevziu.

Të gjitha të drejtat e rezervuara Opinion ©2025
Dev By Techzero1.com

Nuk ka rezultat
View All Result
  • Hyrja
  • Kryesore
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Sociale
  • Unë shkruaj
  • Komente
  • Bota
  • Sport
  • InstaBIZ
  • OPINION WEB TV
    • Emisionet
    • U tha në Opinion
    • Si u Veshën
  • Life Style
    • Shëndeti
    • Jetë dhe Stil
    • Teknologji
    • Kulturë

Të gjitha të drejtat e rezervuara Opinion ©2025
Dev By Techzero1.com