Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka takuar ambasadorin rus, Alexander Botsan-Kharchenko, të cilin e ka informuar për protestat e mbrëmshme në Beograd. Lajmin e ka bërë të ditur vetë Vuçiç përmes një postimi në rrjetet sociale.
“E informova ambasadorin Alexander Botsan-Kharchenko për trazirat e mbrëmshme në Beograd dhe përsërita se do të bëjmë gjithçka për të ruajtur sigurinë e qytetarëve dhe Serbisë tonë”, ka shkruar Vuçiç në Instagram.
Ai tha se janë shkëmbyer mendime edhe për marrëdhëniet dypalëshe, situatën në rajon dhe ngjarjet aktuale gjeopolitike.
Protestat e mbrëmjes së djeshme para parlamentit në Beograd u zhvilluan kundër zgjedhjeve të 17 dhjetorit. Situata u agravua dhe u shoqërua me dhunë dhe si rrjedhojë 35 protestues u arrestuan nga policia serbe.