Pas njoftimit të pak ditëve më parë se ISIS ka humbur 12% të kontrollit territorial në Irak dhe Siri, brenda këtij viti, terroristët e Shtetit Islamik pësojnë një tjetër goditje të rëndë.
Agjencia zyrtare e lajmeve e xhihadistëve, njoftoi se është vrarë në Irak Omar al-Shishani, i cilësuar si “Ministri i Luftës”, njëri prej njerëzve më të besuar të kreut të Shtetit Islamik, Abu Bakr al-Baghdadi.
Mediat e huaja raportojnë se al-Shishani, i njohur me nofkën “çeçeni”, është vrarë pranë Mosulit, gjatë një sulmi ajror të forcave amerikane, në tentativë për rimarrjen e bastionit kryesor të Shtetit Islamik në Irak.
Omar al-Shishani ishte një nga komandantët më të aftë të ISIS, ai ka qenë anëtar i një njësie elitë të forcave ushtarake gjeorgjiane. Për kokën e “Omar çeçenit” ishte vënë edhe një shpërblim prej 5 milionë dollarësh nga Departamenti Amerikan i Shtetit. /Tv Klan