400 palestinezë janë vrarë nga sulmet ajrore izraelite në Gaza në 24 orët e fundit. Të dhënat konfirmohen nga zyrtarët shëndetësorë palestinezë, sipas të cilëve 65 për qind e viktimave të dërguara në spital gjatë natës ishin fëmijë.
Drejtori i Spitalit Al-Shifa në veri të Gazës thotë se objekti mjekësor është në prag të “katastrofës së vërtetë”, me karburantin që mund të mbarojë në 48 orët e ardhshme.
Izraeli bombardoi zonat e banuara në Gaza gjatë natës, duke përfshirë kampin e refugjatëve me popullsi të dendur Jabalia dhe vendndodhjet afër spitaleve Al-Shifa dhe Al-Quds të Gazës.
Ushtria izraelite thotë se goditi dy objektiva të Hezbollahut në Liban herët të hënën, për të cilat pretendonte se po planifikonin të lëshonin raketa dhe raketa antitank drejt Izraelit.
Izraeli gjithashtu ka intensifikuar sulmet në Bregun Perëndimor të pushtuar gjatë natës, me dy palestinezë të vrarë gjatë një sulmi në qytetin e Nablus.
Agjencia zyrtare e shtypit palestineze WAFA njoftoi të dielën se është vrarë nga një sulm raketor izraelit në qytetin e Gazës gazetari palestinez, Roshdi Sarraj.
Sarraj ishte përkthyes për gazetarët e huaj, në transmetuesin e radios publike kombëtare franceze Radio France dhe kishte punuar me korrespondentët e tij që nga maji 2021, sipas transmetuesit francez.