Gjykata e Tiranës ka dënuar me 35 vite burg Ludjan Zaimin, ish-policin e komisariatit numër 3 i cili vrau kolegun e tij Çaush Saliasi në ambientet e komisariatit.
Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e 24 Majit të vitit të kaluar. Mbrojtja do të dorëzojë ankim në Gjykatën e Apelit me Juridiksion të Përgjithshëm, të cilët do të thonë edhe fjalën e fundit për këtë çështje.
Prokuroria e akuzon Zaimin për veprën penale të “vrasjes me dashje e punonjësit të Policisë së Shtetit, gjatë detyrës ose për shkak të saj”.
Prokuroria pretendon se Ludjan Zaimi nuk vuante dhe nuk vuan nga probleme të shëndetit mendor dhe ka qenë në gjendje të kontrollojë veprimet e tij, pavarësisht se mbrojta ka pretenduar se ai ka probleme të shëndetit mendor.
Ludjan Zaimi ka pretenduar se kolegu i tij Çaush Saliasi, e fyente dhe bullizonte gjatë gjithë kohës. Ai ka pretenduar se kanë pasur vazhdimisht debate me Saliasin për mënyrën se si ai sillej me të.