Gjykata e Apelit Tiranë ka rrëzuar ankimin e bërë nga avokati i Artur Kuliçit, të akuzuarit në mungesë për vrasjen e balerinës Sonila Dervishi (Tafa) në vitin 2013.
Avokati i tij Genc Gjokutaj ka ankimuar vendimin që dënoi klientin e tij me burg përjetë, duke kërkuar nga Gjykata e Apelit prishjen e vendimit dhe pushimin e çështjes, pasi, sipas tij, nuk provohet fajësia. Pasi ka hapur shqyrtimin gjyqësor, Gjykata e Apelit ka konstatuar probleme e parregullsi në ankim. “Ankimi nuk është firmosur nga i pandehuri, ndërsa avokati nuk është person i legjitimuar nga normat e Ligjit Procedural Penal për të bërë ankim kundër vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë”, ka theksuar Gjykata e Apelit në vendimin e saj.
Sipas Gjykatës, nisur nga ky fakt, trupi gjykues arrin në përfundimin se duhet vendosur mospranimi i ankimit. Artur Kuliçi është shpallur në kërkim që pas ngjarjes së ndodhur në Tiranë, pasi nuk është arritur të arrestohet asnjëherë.