Haxhi Baçinozi u ekzekutua pasditen e të shtunës pranë kodrave të Liqenit Artificial. 62-vjeçar ka qenë duke bërë vrap me djalin e tij të mitur, kur dy persona i kanë dalë para dhe e kanë qëlluar.
Sipas burimeve në Policinë e Tiranës, dyshohet se Baçinozi është vrarë për një borxh të pakthyer. Bëhet fjalë për një shumë të konsiderueshme parash, të cilën Baçinozi nuk e kishte kthyer në kohën e premtuar. Bashkë me të, ka qenë edhe djali i cili ka identifikuar autorët. Policia thotë se ka shpallur në kërkim dy personat që kanë qëlluar mbi 62-vjeçarin, të cilët janë nga Fieri.
I lindur në 2 korrik të vitit 1957, në fshatin Radostinë të Fierit, Haxhi Baçinozi u dënua dhe nga sistemi komunist. Në moshën 25-vjeçare, më 30 janar 1982, Gjykata Ushtarake e Tiranës e dënoi me 10 vjet heqje lirie dhe humbjen e së drejtës elektorale për 5 vjet kohë për “agjitacion e propagandë”. Ai u dënua sërish më 3 qershor 1984, kësaj radhe me 21 vjet heqje lirie dhe humbjen e së drejtës elektorale për 5 vjet kohë për “veprën e terrorit në bashkë-punim”./Opinion.al