Gjykata e Sarandës la dje në burg autorin e vrasjes së punonjësit të karburantit. Arqile Koçi u arrestua dy ditë më parë si autori i vrasjes së 44vjeçarit Artan Hoxha, ngjarje e cila ndodhi në Qafë Gjashtë.
Prokurori Ilir Hoxha ka kërkuar “arrest në burg” pa afat për 27vjeçarin nga Qeparoi, Arqilea Koçi, për veprën penale “vjedhje me pasojë vdekje”.
E njëjta masë u kërkua edhe për 33vjeçarin nga Saranda, Mihal Leka, për veprën penale “përkrahje të autorit të krimit” dhe “prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”. Masa e kërkuar për të dy ta ndaluarit është lënë në fuqi nga gjyqtari Alltun Çela, ndërsa ka vlerësuar të drejtë arrestimin e tyre.
Asnjëri nga të arrestuarit nuk kishin avokat mbrojtës për rrjedhojë vendosi gjykata avokaten Noreta Kalcuni. Të arrestuarit janë braktisur në sallë edhe nga familjarët, pasi askush prej tyre nuk kishte ardhur dje për të ndjekur seancën gjyqësore në ngarkim të tyre, ku do të vlerësohej masa e sigurisë.
27 vjeçari Arqile Koçi ka shfaqur shenja nervozizmi dhe ngarkesë emocionale gjatë seancës. Ai herë pas here kryente lëvizje, teksa rregullonte jakën e xhupit që kishte veshur. Ishte e njëjta veshje e asaj nate, kur i riu kreu edhe krimin e rëndë duke qëlluar me çifte dhe i mori jetën 44vjeçarit Artan Hoxha. Gjatë seancës së masës së sigurisë e cila zgjati rreth 1.5 orë, Arqile Koçi mësohet të jetë shprehur se nuk kishte shkuar për të vrarë, por veçse për të vjedhur.
“Nuk shkova për të vrarë njeri, shkova vetëm për të vjedhur. U tremba kur ai (viktima) lëvizi nga vendi prandaj edhe qëllova. Kisha pirë në Qeparo, piva edhe në Sarandë. Te shoku shkova për të fjetur”, është shprehur i akuzuari për vrasje para trupit gjykues.
Pasi është dëgjuar dëshmia e dhënë prej tij, Gjykata vendosi ta lërë atë në burg. Të njëjtën masë vendosi edhe për 33vjeçarin Mihal Leka, i ndaluar nga policia dy ditë më parë për veprën penale “përkrahje të autorit të krimit” dhe “prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”. Mihal Leka mësohet të jetë shprehur se “e njoh që nga vera Arqilenë.
Jemi njohur në plazh. Ai erdhi tek unë për të fjetur dhe unë ia hapa derën. Nuk dija gjë se çfarë kishte bërë, se edhe ai nuk më tha gjë. U habita kur erdhi Policia”. /Panorama