Ajet Zeqaj, 41-vjeçari që u ekzekutua mbrëmjen e së mërkurës në Tiranë, kishte vetëm 20 ditë që ishte kthyer nga Franca.
Ai jetonte atje prej disa vitesh, bashkë me gruan dhe tri vajzat, në qytetin Lille. Por prej disa muajsh ai ishte divorcuar nga e shoqja, pasi ajo dyshohet se kishte mësuar për një lidhje jashtëmartesore që ai kishte me një punonjëse të Ambasadës Franceze.
Këtë lidhje ai mendohet se e vazhdonte edhe tani. Burimet thanë se veç dy pistave kryesore të ngritura për hetimin e ngjarjes, nuk përjashtohet si pistë edhe konflikti që ai ka pasur në bashkëshorten për shkak të lidhjes që kishte.
Megjithatë, ende nuk janë gjetur elementë që t’i drejtojnë hetimet drejt motiveve të xhelozisë, edhe pse nuk përjashtohet si mundësi.
Pas divorcit, bashkëshortja dhe tri vajzat vazhdonin të jetonin në Francë, e po ashtu edhe Zeqaj, por në banesa të ndryshme.
Ndërsa shtëpinë që kishin pasur më parë në Tiranë, te rruga “Sami Frashëri”, e kishin shitur prej disa vitesh. Zeqaj vinte herë pas here në Shqipëri, kryesisht në Tiranë.
Gjatë kohës që qëndronte këtu, ai shkonte zakonisht te shtëpia e motrës së tij, në rrugën “Nikolla Tupe”, ku po shkonte edhe natën kur u qëllua për vdekje, ose qëndronte në ndonjë hotel.
Edhe gjatë këtyre 20 ditëve që ishte kthyer nga Franca, pjesën më të madhe të kohës e kishte kaluar te shtëpia e së motrës, ndërsa kishte qenë edhe në Gjirokastër, ku jeton i vëllai.
Nga hetimet e deritanishme, Policia ka përjashtuar pjesërisht pistën e vrasjes për shkak të detyrës si ishpolic të 41vjeçarit dhe ka ngritur disa të tjera.
Nga hetimet e kryera gjatë 24 orëve pas vrasjes, oficerët e Policisë kanë siguruar informacione që i orientuan drejt një motivi, i cili ka të bëjë me prishjen e pazareve të drogës.
Burimet thanë se, ndonëse Zeqaj nuk ka qenë ndonjëherë i proceduar për çështje droge, ka pasur informacione dhe çështje në hetim, ku dyshohej se gjatë viteve 2006-2007, pas largimit nga radhët e Policisë, ai ka qenë i përfshirë në çështje të tilla, kryesisht në Tepelenë.
Sipas burimeve, këtë veprimtari ai mund ta ketë vazhduar edhe jashtë vendit, kryesisht në Francë, ku ishte rezident bashkë me familjen prej disa vitesh./ Panorama.al