Tirana u trondit ditën e sotme nga vrasja e 24-vjeçares palestineze, Rayyan Alwan, e cila u gjet e pajetë në apartamentin e marrë me qira në Tiranë.
Deri më tani, policia ka një të dyshuar dhe ai është bashkëshorti i saj, 49-vjeçari palestinez Fadi Alwan.
Gazetari Merin Maçi, i ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan ka dhënë detaje të reja në lidhje me ngjarjen e rëndë.
Sipas gazetarit, është vërtetuar se bashkëshorti i viktimës ka udhëtuar drejt Greqisë vetëm 3 ditë pasi ka ardhur në Tiranë me bashkëshorten e tij.
Pjesë nga biseda:
Merin Maçi: Ngjarja është regjistruar në afërsi të Rrugës së Kavajës dhe ka qenë pronarja e banesës ajo që ka njoftuar Policinë pasi prej ditësh nuk kishte dëgjuar asnjë zhurmë apo asnjë shenjë nga çifti, të cilët kishin marrë me qira apartamentin e saj që prej datës 19 Shkurt. Prej mesditës, çifti palestinez, të cilët kishin mbërritur në Tiranë më 19 Shkurt dhe pikërisht ditën që kanë mbërritur në Tiranë përmes aeroportit të Rinasit nga Gjermania, vend ku edhe jetonin.
Blendi Fevziu: Kanë ardhur nga Gjermania në Shqipëri?
Merin Maçi: Po. Në momentin që kanë mbërritur në kontrollin e pasaportave, kanë paraqitur dokumentat e shtetit grek dhe sapo kanë dalë nga Rinasi, kanë marrë një taksi dhe menjëherë janë drejtuar banesës.
Blendi Fevziu: Po si mo, në Shqipëri kanë hyrë me dokumenta greke, banonin në Gjermani dhe ishin palestinezë?
Merin Maçi: Po. Kjo ka ngritur edhe dyshimet tek grupi hetimor për mënyrën se si ato kanë ardhur në vendin tonë.
Blendi Fevziu: Mos është punë spiunësh kjo?
Merin Maçi: Nga e gjithë dinamika, dyshimet janë se gjithçka ka qenë e mirëmenduar nga bashkëshorti i saj. Gruaja është gjetur e vdekur sot nga pronarja e banesës. Ajo ka trokitur në banesën e dhënë me qira prej saj dhe në momentin që nuk ka dëgjuar asnjë shenjë, ka hapur me një çelës këtë banesë dhe menjëherë ka njoftuar Policinë pasi në dhomën e apartamentit ka gjetur vajzën 24-vjeçare pa shenja jete dhe të mbuluar me një çarçaf. Ka lajmëruar Policinë, Policia ka konstatuar shenja dhune. Shenjat e gjakut kanë qenë të thata, çka linin dyshime se ngjarja mund të jetë regjistruar dhe kohë më parë. Që natën e parë janë vendosur në këtë apartament. Në banesë nuk është gjetur asnjë e dhënë për çiftin. Janë ngritur dyshime tek partneri i saj.
Blendi Fevziu: Ka qenë zyrtarisht bashkëshorti i saj?
Merin Maçi: Po, 49 vjeç. Nga data 19, ky person ka qëndruar në Shqipëri me datë 22. Me datë 22 në mbrëmje, është vërtetuar që ka dalë nga apartamenti dhe i është drejtuar aeroportit të Rinasit, ku me anë të një fluturimi ka udhëtuar drejt Greqisë. Vetëm disa orë para këtij fluturimi dyshohet të këtë ndodhur ngjarja e rëndë.