Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, ka “zbarkuar” në Drejtorinë e Policisë së Vlorës, pas vrasjes së ndodhur dy ditë më parë të Gëzim Sinomati, i biri i Sokol Sinomatit, pjesë e bandës së Gazmend Brakës i njohur si “Gaxhai”.
Burime për A2 CNN bëjnë me dije se Rrumbullaku ka ngritur një grup të posaçëm hetimor, për të hetuar ngjarjen. Deri më tani, njofton se janë grumbulluar një numër i madh i pamjeve filmike në zonë dhe në itinerarin që kanë lëvizur autorët.
Gjithashtu, Rrumbullaku ka zhvilluar një analizë të gjatë mbi ngjarjet e ndodhura së fundmi, problematikat brenda dhe jashtë vendit.
Pjesë e analizës janë dosjet e ngjarjeve të vjetra dhe grupet kriminale, teksa po bashkëpunohet me agjencitë ligjzbatuese, brenda dhe jashtë vendit.
Drejtori i Përgjithshëm ka urdhëruar hartimin e një plani të detajuar operacional kombëtar, për parandalimin e ngjarjeve kriminale dhe për goditjen e grupeve kriminale.