Një ditë pas ekzekutimit të biznesmenit Shpëtim Shala, 39 vjeç nuk ka ende asnjë person të dyshuar për vrasjen. Lidhur me motivet, burime nga grupi hetimor thonë se “viktima është person i skeduar, pasi më parë është akuzuar për posedim të lëndëve narkotike”.
“Na rezulton se ka pasur probleme me persona të tjerë dhe po verifikojmë çdo pistë, si hakmarrja, larja e hesapeve, konkurrenca në biznes, ndonjë borxh i pashlyer, konflikte për shkak të pazareve me drogën e të tjera pista, po verifikohen të gjitha me shumë kujdes”, mësohet më tej nga burimet e rezervuara nga policia.
Aktualisht janë sekuestruar disa prej kamerave të instaluara pranë vendit ku ndodhi krimi.
Policia nuk bëri të ditur nëse krimi ka lidhje me disa prej vrasjeve të tjera të ndodhura së fundmi në Durrës, ndonëse i ndjeri kishte njohje me disa prej viktimave.
Më herët u tha se Shala ishte përfshirë në një aksident me makinë në sheshin “Taulantia” në Durrës. Mes tij dhe një djali po nga Durrësi të përfshirë në aksident ka pasur debate.
Shala ishte një biznesmen i njohur në qytetin e Durrësit. Ai posedonte një plazh privat, në zonën e kallmit dhe restorantin “Batavia”.