Zhvillime të reja kanë ndodhur sa i përket vrasjes së shqiptarit Bledar Terpollari në Greqi. Policia greke ka ndaluar një person, si të dyshuar për vrasjen e 26-vjeçarit në Igumenicë të Greqisë më 9 maj të këtij viti.
“Koka e Bledar Terpollarit është marrë me vete në Shqipëri nga vrasësi i tij”. Rrëfimin tronditës e bëri bariu shqiptar, i cili ndodhet në listën e 3 të dyshuarve. Bariu e ka përjashtuar veten nga pjesëmarrja në krim, por pranoi të tregonte emrat e vrasësve.
I riu shqiptar u qëllua me çifte fillimisht kur po flinte dhe vrasësit ia hoqën kokën. Për shumë kohë policia greke e kërkoi kokën e Terpollarit në zonat përreth, por pa sukses.
Sipas tij (bariut), vrasja është kryer nga dy shqiptarët, por ai vetë nuk ka marrë pjesë në krim. Megjithatë, policia greke e ka ndaluar shqiptarin, si të dyshuarin e tretë për këtë vrasje dhe ka shpallur në kërkim dy të tjerët.