Në pistoletën e krimit me të cilën u vra Pëllumb Meta janë gjetur gjurmë gishtash edhe të djalit të vogël, Amarildo Meta. Për vrasjen e 49-vjeçarit është i akuzuar direkt djali i madh Hysen Meta 25 vjeç, si personi që ka shkrepur armë. Po kështu për vrasje akuzohet edhe vajza Hygerta Meta 19 vjeç, e cila ka qenë prezent në momentin e vrasjes.
Sipas Klan News, me daljen e rezultateve të analizave nga laboratori i kriminalistikës, në armën e vrasjen janë gjetur gjurmë edhe të djalit të vogël Amarildo Meta, i cili për momentin akuzohet nga policia për fshehje të kufomës.
Laboratori i kriminalistikës ka dalë në konkluzionin se Amarildo Meta ka gjurmë gishtash në pistoletën me të cilën u vra babai i tij. Kjo do të thotë që Amarildo e ka prekur armën, por nuk është e qartë nëse ka bërë shkrepje ose jo.
Për grupin hetimor të Durrësit, autor kryesor i vrasjes vazhdon të mbetet djali i madh Hysen Meta.
Pas vrasjes së Pëllumb Metës nga fëmijët e tij, pistoleta e krimit u hodh në një zonë moçalore, por u gjet nga grupi hetimor dhe u dërgua për ekspertizë.
Ndërkohë, të tre fëmijët dhe gruaja e viktimës u dërguan në një poligon qitje në Durrës dhe rezulton se të katërt dinë të përdorin armë.