Kryekomisoneri, Ilirjan Celibashi u pyet sot nga gazetarët nëse ka bazë ligjore që votimi nga jashtë të shpallet i pavlefshëm.
Në një dalje për media nga parku Olimpik, Celibashi garanton se çfarë ka përgatitur KQZ në këtë proces është në integritet të plotë, por ngelet në diskutim mënyra sesi kanë votuar votuesit nga jashtë.
“Nëse verifikohen shkeljet e ligjit dhe ndikojnë në rezultat, çdo lloj votimi mund të shpallet i pavlefshëm.
Ajo që mund të them, nuk jap gjykimin mbi vlefshmërinë jo, por me siguri të plotë them që çfarë ka administruar e përgatitur KQZ me këtë proces ka prodhuar integritet të plotë për atë kompetencë të KQZ.
Ngelet diskutimi sesi votuesit nga jashtë kanë votuar por në momentin që secili ka vendosur fletën e votimit në zarfin përkatës dhe ky ka mbërritur në KQZ asgjë nuk e ka cenuar integritetin“, tha Celibashi.