Në ambasadën e Kosovës në Washington dhe Konsullatën në New York, ka përfunduar procesi zgjedhor, ku diaspora ka ushtruar të drejtën e votës.
Kjo është hera e parë, që qytetarëve të Kosovës, iu lejohet të ushtrojnë të drejtën e votës në një objekt diplomatik, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Qytetarët e Kosovës të cilët jetojnë jashtë vendit, patën të drejtë të votojnë në 43 vendvotime në Ambasada dhe Konsullata të Kosovës në botë, një ditë para zgjedhjeve.
“Të dashur bashkatdhetarë, vendvotimi në Ambasadën e Kosovës në Washington, D.C. është mbyllur në ora 19:00 në kohën lokale. Falënderojmë të gjithë që votuan sot si dhe ata që kanë zgjedhur votimin përmes postës, ndërkaq mirënjohje të thellë për të gjithë kolegët e përfshirë për bashkëpunimin, punën e palodhshme dhe profesionale duke mundësuar mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq, sotnë orën 07:00 janë hapur qendrat e votimit në Kosovë për zgjedhjet parlamentare dhe ato do të jenë të hapura deri në orën 19:00.
Mbi 2 milionë qytetarë, brenda dhe jashtë Kosovës, kanë të drejtë vote.