Një 48-vjeçar është arrestuar nga Policia pasi grabiti në banesën e shtetasit V. M. 23 000 euro.
Policia bën me dije nga hetimet e kryera nga efektivët e Komisariatit të Policisë Fier, pas indicieve se një shtetasi të arrestuar ditën e djeshme, për armëmbajtje pa leje, i kishin vjedhur në banesën e tij (në oborrin e së cilës, u gjetën të fshehura në një çantë, 3 pistoleta, 1 armë gjahu dhe fishekë luftarak), një shumë parash, u organizua dhe u finalizua faza e dytë e operacionit policor të koduar “Sinjali”.
Gjatë kësaj faze, u kap dhe u vu në pranga shtetasi F. L., 48 vjeç, banues në fshatin Levan, Fier. Nga veprimet hetimore dyshohet se 48-vjeçari ka vjedhur në banesën e shtetasit tashmë të arrestuar V. M., 23 000 euro.
Po ashtu është proceduar në gjendje të lirë, vajza e shtetasit F. L., shtetasja M. L., 22 vjeçe, banuese në fshatin Baltëz, Fier, pasi dyshohet se ka bashkëpunuar me 48-vjeçarin, për të kryer këtë vjedhje.
Gjatë kontrolleve në banesën e shtetasit F. L., Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale, 8100 euro të dyshuara nga shuma e vjedhur në banesën e shtetasit V. M.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.