Dy persona janë arrestuar nga policia e Tiranës, pasi në subjektin ku ishin të punësuar kanë vjedhur një shumë prej 10 mijë eurosh.
Në kuadër të operacionit të koduar “All in”, u vunë në pranga shtetasit G. K., 34 vjeç, dhe T. C., 49 vjeç, të dy banues në Tiranë.
Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se këta shtetas, në periudha të ndryshme kohore, kanë vjedhur shumën 10 000 euro, në një subjekt ku ishin të punësuar, në lagjen “Ali Demi”.
Nga kontrollet e ushtruara në aparatet e tyre celular ka rezultuar se këta shtetas ushtronin veprimtarinë e paligjshme të organizimit të lotarive të palejuara (basteve sportive), nëpërmjet aparateve të tyre celular.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.