Sekuestrohen 60 doza me lëndë narkotike cannabis sativa, gati për shitje, arrestohet në flagrancë shtetasi R. K., 21 vjeç.
Sipas bluve të Vlorës, 21 vjeçari është vënë në pranga pas kontrolleve intensive nga Forca e Posaçme “Shqiponja”, ku iu sekuestrua edhe lënda narkotike.
“Forca e Posaçme “Shqiponja”, në vijim të kontrolleve intensive për evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive, garantimin e rendit dhe sigurisë, si dhe parandalimin e shpërndarjes së lëndëve narkotike, veçanërisht në zonat urbane dhe turistike, ka vijuar të ushtrojë kontrolle në lagje të ndryshme të qytetit, ku si rezultat:
Në lagjen “28 Nëntori”, Vlorë, u kap në flagrancë shtetasi R. K., 21 vjeç, banues në lagjen “Kushtrimi”, i cili dyshohet se e ndante lëndën narkotike në doza dhe e shiste atë në zona të ndryshme të qytetit.
Gjatë kontrollit fizik, këtij shtetasi iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 60 doza lënde narkotike të llojit cannabis sativa”, thuhet në njoftim.
Në përfundim të veprimeve procedurale, nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve të DVP Vlorë, u bë arrestimi i këtij shtetasi, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.