Opinion.al
Nuk ka rezultat
View All Result
KONTAKT
  • Hyrja
  • Kryesore
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Sociale
  • Unë shkruaj
  • Komente
  • Bota
  • Sport
  • InstaBIZ
  • OPINION WEB TV
    • Emisionet
    • U tha në Opinion
    • Si u Veshën
  • Life Style
    • Shëndeti
    • Jetë dhe Stil
    • Teknologji
    • Kulturë
Opinion.al
Nuk ka rezultat
View All Result

Vlerësimi i gjyqtarëve: Nota maksimale dhe promovime subjektive

2017/03/01 at 7:41 PM
në Aktualitet, Te Fundit
Kohë leximi: 6 min
A A
Vlerësimi i gjyqtarëve: Nota maksimale dhe promovime subjektive

Sistemi i vlerësimit profesional të gjyqtarëve në KLD dështoi të garantonte promovime të bazuara në meritokraci, ndërkohë që zvarritjet e procesit rrezikojnë të lënë një numër të konsiderueshëm gjyqtarësh jashtë garës për institucionet e reja të drejtësisë.


Nga Elton Qyno, BIRN

Në mbledhjen e 10 shkurtit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë-vetëm dymbëdhjetë ditë larg skadimit të afatit ligjor, vlerësimi profesional i gjyqtarëve u kthye në një temë debati mbi pasojat që ky proces i vonuar prej vitesh rrezikon të shkaktojë mbi institucionet e reja të drejtësisë në vend.

Petrit Çomo, anëtar i KLD-së përcolli shqetësimin e gjyqtarëve për mungesën e vlerësimit të dytë profesional, çka skualifikon një numër të konsiderueshëm prej tyre nga kandidimi për institucionet që do të ngrihen në kuadër të reformës në drejtësi.

“…Disa gjyqtarë na kanë shprehur shqetësimin që pse nuk janë bërë vlerësimet për… nuk kanë kaluar në Këshill vlerësimet për vitet 2007-2009…  Duke e ditur që Inspektorati është me mangësi, mendoj që duhet ta fusim dhe të marrim një vendim që 2009-a duhet të mbarojë, se e ka ligji dhe është i detyrueshëm,” propozoi Çomo.

Neni 171 i ligjit  “për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve…” i jepte KLD-së tre muaj kohë për përmbylljen e raundit të dytë të vlerësimeve për vitet 2007-2009; afat i cili ka skaduar më 22 shkurt.

Megjithatë, rreth 40 gjyqtarë rrezikojnë të penalizohen pasi nuk kanë marrë ende një vlerësim të dytë nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë.

Kryeinspektorja e KLD-së, Marsida Xhaferrllari raportoi në mbledhjen e 10 shkurtit se nga 316 gjyqtarë gjithsej, ka përfunduar vlerësimi profesional për 246 prej tyre. Sipas kryeinspektores, 30 akte pritet të shqyrtohen nga KLD (12 prej të cilave u miratuan në 10 shkurt), ndërsa pjesa e mbetur ndodhet në faza të ndryshme vendimarrjeje.

I përcaktuar si detyrim ligjor prej vitit 2008, procesi i vlerësimit profesional të gjyqtarëve është shoqëruar vazhdimisht me bllokime dhe zvarritje në Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Ekspertë të kontaktuar nga BIRN kanë ngritur gjithashtu pikëpyetje mbi eficensën e deritanishme të këtij procesi në funksion të promovimeve të gjyqtarëve brenda sistemit të drejtësisë.

Sipas ligjit të vitit 2008 për “organizimin e pushtetit gjyqësor”, çdo gjyqtar i Republikës së Shqipërisë do të duhej t’i nënshtrohej vlerësimit profesional të paktën një herë në tre vjet.

Të dhënat e siguruara nga BIRN në Inspektoriatin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë tregojnë se ky detyrim ligjor nuk është respektuar, duke i vendosur gjyqtarët në kushte pabarazie dhe duke rritur subjektivizmin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë në marrjen e vendimeve.

Dominim vlerësimesh “shumë mirë”

Përgjatë 9 viteve, Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë ka përfunduar vetëm raundin e parë të vlerësimit për 279 gjyqtarë për vitet e punës 2005-2006 dhe është në përmbyllje të raundit të dytë për vitet 2007-2009. Arsyet e vonesave, sipas Inspektoriatit të KLD-së lidhen me faktin se Këshilli i Lartë i Drejtësisë nuk ka vepruar në kohën e duhur, duke e bllokuar procesin përgjatë viteve 2007-2012.

“Duke marrë në konsideratë që procesi i vlerësimit profesional dhe etik filloi të zbatohet në fund të vitit 2012, aktualisht mund të thuhet se ka ecur me ritme të shpejta. Për një periudhë 3 vjeçare.. është arritur të përfundohet një raund i plotë vlerësimi, të jetë drejt finalizimit raundi i dytë dhe të ketë filluar raundi i tretë i vlerësimit,” u përgjigj Inspektoriati i KLD.

Analiza e të dhënave të siguruara nga BIRN përmes një kërkese për të drejtë informimi në Inspektoriatin e KLD-së tregon se shumica e gjyqtarëve shqiptarë janë vlerësuar me notën “shumë mirë” për të dyja raundet. Një numër më i vogël gjyqtarësh kanë marrë notën “mirë” dhe asnjë prej tyre nuk është vlerësuar si “i paaftë” nga inspektorët e KLD-së.

Për raundin e parë të vlerësimit, 225 gjyqtarë u vlerësuan “shumë mirë”, 51 gjyqtarë u vlerësuan “mirë” dhe 3 gjyqtarë u vlerësuan “pranueshëm”. Ndërsa në raundin e dytë, që është ende në proces, 224 gjyqtarë u vlerësuan “shumë mirë”, 33 gjyqtarë u vlerësuan “mirë” dhe 5 gjyqtarë “pranueshëm”.

Vlerësimi “i paaftë” përbën shkak ligjor për nisjen e procesit të shkarkimit, por gjatë gjithë historikut të vet, ky sistem nuk i kushtuar karrierën asnjë gjyqtari në Shqipëri.

Vlerësimi i gjyqtarëve për punën e kryer shumë vite më përpara është është cilësuar si një mangësi serioze e këtij procesi, sipas një analize të bërë nga ekspertë të Këshillit të Europës. Ndërsa për delegacionin e Bashkimit Europian në Tiranë, sistemi i ndjekur deri tani nuk garanton një dallim mes gjyqtarëve mesatarë dhe të tjerëve.

I kontaktuar nga BIRN, delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë deklaroi se reforma në drejtësi ka adresuar defektet e deritanishme të vlerësimit profesional, duke parashikuar pesë nota të dallueshme nga njëra-tjetra për gjyqtarët dhe prokurorët e Shqipërisë.

Ndryshe nga sistemi i deritanishëm, ligji për “statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve” përcakton notën “mirë” për një gjyqtar me performancë mesatare. Një gjyqtar me performancë të dukshme mbi mesataren, sipas ligjit të ri do të vlerësohet “shumë mirë” dhe vetëm performanca e jashtëzakonshme në dhënien e drejtësisë do të përfitojë vlerësimin “shkëlqyeshëm”.

“Një nga sfidat më të mëdha në vlerësimin e performancës së gjyqtarëve është guximi institucional për të bërë ndryshimin dhe për të dalluar gjyqtarët me performancë mesatare nga të tjerët. Në fakt, vetëm një skemë vlerësimi që “bën dallime” mund të cilësohet e ndershme,” deklaroi delegacioni i BE-së për BIRN.

“Aty ku të gjithë gjyqtarët, pavarësisht nga performanca e tyre përziehen pa dallim, gjyqtarët që janë më të motivuar dhe të aftë nuk marrin stimulin e duhur për të vazhduar rritjen e kapaciteteve dhe të performancës së tyre. Në të kundërt, ata ndëshkohen, pasi konsiderohen në të njëjtin nivel me gjyqtarët mesatarë dhe duhet të konkurrojnë me ta, dhe në fund e humbin garën,” shton delegacioni i BE.

Promovimi i gjyqtarëve

I konceptuar në ligjin e vitit 2008 si një sistem që do të vinte vulën mbi promovimin e gjyqtarëve mbi bazën e meritokracisë, në realitet vlerësimi profesional pati pak ndikim në këtë drejtim.

Ngritjet në detyrë të gjyqtarëve nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë janë bërë shpesh objekt i diskutimeve dhe i debateve për shkak të flukseve të ndryshme të ndikimit, që nuk lidheshin me meritën e gjyqtarëve të promovuar.

Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë i tha BIRN se promovimet e gjyqtarëve nuk janë shoqëruar me transparencën e nevojshme dhe shpeshherë nuk kanë qenë të bazuara në meritë. Delegacioni shtoi gjithashtu se sistemi funksional dhe në kohë i vlerësimeve profesionale është parakusht i promovimit të gjyqtarëve dhe prokurororëve, bazuar në meritën e tyre.

“Progres-raporti i Bashkimit Europian ka shprehur vazhdimisht shqetësimin se promovimet e gjyqtarëve nuk janë të bazuara në mënyrë të mjaftueshme në meritë dhe u mungon transparenca. Delegacioni i BE është i vetëdijshëm se rastet ku kritere të ndryshme nga merita kanë qenë arsyeja e promovimit dhe ato janë raportuar në mënyrë të vazhdueshme nga media,” tha delegacioni i BE për BIRN.

Juristë të njohur në vend bien dakord me konstatimin e delegacionit të Bashkimit Europian për promovimet, ndonëse japin argumente të ndryshme mbi diskrecionin e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Elvis Çefa, i cili ka drejtuar si zëvendëskryetar Këshillin e Lartë të Drejtësisë i tha BIRN se nivelet e ndryshme të vlerësimit për gjyqtarët që kërkonin të promovoheshin rritën subjektivizmin e vendimeve të KLD-së për promovimet.

Megjithatë, Çefa pranon se lobimi ka qenë një praktikë mjaft e përdorur për promovimet, çka sipas tij është krejtësisht e ligjshme dhe normale për një organ kolegjial.

“A ka pasur ndikime apo njerëz që kanë mbështetur persona të caktuar? Kjo sigurisht që është një element krejtësisht normal për një institucion kolegjial dhe është krejt e natyrshme dhe njihet edhe nga doktrina ligjore lobimi dhe institucioni i lobimit në këtë rast… për zgjedhjen si anëtarë KLD, si kryetarë gjykatash apo për promovimin dhe transferimit sigurisht që kanë lobuar dhe kjo është krejtësisht e ligjshme dhe normale,” tha Çefa për BIRN.

“Në këtë kontekst, absolutisht nuk përjashtoj rastet kur lobimet e gjyqtarëve kanë krijuar një shumicë të anëtarëve që kanë bërë të mundur votimin apo promovimin e elementëve të caktuar në një detyrë të caktuar,” shtoi ai.

Ndryshe nga Çefa, juristi Sokol Hazizaj i tha BIRN se meritokracia është neglizhuar vazhdimisht në KLD për arsye nga më të ndryshmet, përfshirë edhe ato politike. Ai pohoi se nuk njeh ndonjë rast të së shkuarës që një gjyqtar të jetë ngritur në detyrë pa pasur mundësi sociale për t’u njohur me anëtarët e KLD-së.

“…Siç ka qenë i organizuar pushteti gjyqësor dhe ai i hetimit, kaq afër me njëri tjetrin politika dhe gjyqësori, në jo pak raste është neglizhuar meritokracia, ose ndryshe aftësia e individëve që punojnë në sistemin e hetimit dhe pushtetit gjyqësor,” tha Hazizaj.

“Nuk di ndonjë rast që të jesh ngritur në karrierë për shkak të aftësive. Di mjaft raste që janë ngritur në karrierë për shkak të njohjeve,” përfundoi ai.

 

Etiketa: nota maksimaleprovime subjektivevleresimi i gjyqtareve


Ju sugjerojmë

KAS rrëzon kërkesën e PD për të hapur 43 kuti në Vlorë: Të këqyren vetëm 4
Aktualitet

KAS rrëzon kërkesën e PD për të hapur 43 kuti në Vlorë: Të këqyren vetëm 4

3 Qershor, 2025 4:21 pm
Prodhohet në laborator minipankreasi/ Ja si krijohet hormoni i insulinës
-Shëndeti

Prodhohet në laborator minipankreasi/ Ja si krijohet hormoni i insulinës

3 Qershor, 2025 4:12 pm
Aksidenti me Jet Ski, e mbijetuara tregon detajet: S’dinim not, jeleku i shpëtimit..
Aktualitet

Aksidenti me Jet Ski, e mbijetuara tregon detajet: S’dinim not, jeleku i shpëtimit..

3 Qershor, 2025 4:01 pm
(Pamjet)Operacioni antidrogë me autoritetet finlandeze/ Momentet e arrestimeve
Aktualitet

(Pamjet)Operacioni antidrogë me autoritetet finlandeze/ Momentet e arrestimeve

3 Qershor, 2025 3:50 pm
Përplasi për vdekje me makinë 59-vjeçarin dhe u largua/ Shpallet në kërkim shoferi
Aktualitet

Përplasi për vdekje me makinë 59-vjeçarin dhe u largua/ Shpallet në kërkim shoferi

3 Qershor, 2025 3:38 pm
Bashkohet me ISIS duke lënë Amerikën/ 10 vite burg për shqiptarin nga Kosova
Bota

Bashkohet me ISIS duke lënë Amerikën/ 10 vite burg për shqiptarin nga Kosova

3 Qershor, 2025 3:15 pm
Përballja historike e Serbisë me Shqipërinë/Mesfushori Katai: Kemi presion të lartë!
Sport

Përballja historike e Serbisë me Shqipërinë/Mesfushori Katai: Kemi presion të lartë!

3 Qershor, 2025 3:00 pm
Dy miqësoret ndaj Bullgarisë, publikohet lista e Shqipërisë U-19
Sport

Dy miqësoret ndaj Bullgarisë, publikohet lista e Shqipërisë U-19

3 Qershor, 2025 2:40 pm
Vrasja e Artan Cukut, Prokuroria e Tiranës kërkon burgim përjetë për dy autorët
Aktualitet

Vrasja e Artan Cukut, Prokuroria e Tiranës kërkon burgim përjetë për dy autorët

3 Qershor, 2025 2:29 pm
Gati për plazh! Qershori nis me temperatura përvëluese
Aktualitet

Gati për plazh! Qershori nis me temperatura përvëluese

3 Qershor, 2025 2:21 pm
Para
Sabri Fejzullahu bëhet gjysh për herë të pestë

Sabri Fejzullahu bëhet gjysh për herë të pestë

Rrëfimi prekës/ Eli Fara flet për ‘furtunat’ në jetën e saj

Rrëfimi prekës/ Eli Fara flet për ‘furtunat’ në jetën e saj

Doni djalë? Varet edhe nga pozicioni i seksit

Rrëfimi i gruas së martuar, si e hodhi në shtrat komshiu
















TE FUNDIT

KAS rrëzon kërkesën e PD për të hapur 43 kuti në Vlorë: Të këqyren vetëm 4

KAS rrëzon kërkesën e PD për të hapur 43 kuti në Vlorë: Të këqyren vetëm 4
3 Qershor, 2025

Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve rrëzoi kërkesën e Partisë Demokratike e cila kërkonte këqyrjen e 43 kutive në Qarkun e...

Lexo më shumë

Prodhohet në laborator minipankreasi/ Ja si krijohet hormoni i insulinës

Prodhohet në laborator minipankreasi/ Ja si krijohet hormoni i insulinës
3 Qershor, 2025

Krijohen në laborator miniorganet e para, modele të thjeshtuara të organeve të njeriut. Kjo është një arritje mjaft e rëndësishme,...

Lexo më shumë

Aksidenti me Jet Ski, e mbijetuara tregon detajet: S’dinim not, jeleku i shpëtimit..

Aksidenti me Jet Ski, e mbijetuara tregon detajet: S’dinim not, jeleku i shpëtimit..
3 Qershor, 2025

Dy turistët anglezë me origjinë ganeze, të cilët u përfshinë në një aksident me Jet Ski paraditen e së dielës...

Lexo më shumë

(Pamjet)Operacioni antidrogë me autoritetet finlandeze/ Momentet e arrestimeve

(Pamjet)Operacioni antidrogë me autoritetet finlandeze/ Momentet e arrestimeve
3 Qershor, 2025

Policia e Shtetit ka publikuar pamjet e operacionit me autoritetet finlandeze. Sipas uniformave blu gjatë operacionit, për ekzekutimin e 11...

Lexo më shumë
Opinion.al

Kategoritë

Kryesore

Aktualitet

Unë Shkruaj

Komente

Bota 

Sport 

Instabiz

Opinion Web Tv

Lifestyle

Galeri

Rreth Nesh

ON AIR: E hene – E marte – E merkure – 22:15 E ejnte – 21:00

OPINION nga Blendi Fevziu. Emisioni politik me i ndjekur dhe me i preferuar ne ekranet shqiptare.
“Opinion” vjen ne kater takime cdo jave – e hene, e marte, e merkure dhe takimi tradicional i te ejntes mbrema.
Cdo jave ne studion e Tv Klan, komente, analiza, debate, komente, intervista, personazhe, deshmi dhe fakte konkrete. Ngjarjet me te fundit dhe me te rendesishme ne jeten politike dhe sociale te vendit, me debatet, opinionet dhe analizat e te ftuarve ne studio.
Salloni i politikes dhe aktualitetit hap dyert 4 mbremje ne jave, per te degjuar opinionet e politikaneve dhe analisteve. Padron i shtepise, gazetari dhe analisti Blendi Fevziu.

Të gjitha të drejtat e rezervuara Opinion ©2025
Dev By Techzero1.com

Nuk ka rezultat
View All Result
  • Hyrja
  • Kryesore
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Sociale
  • Unë shkruaj
  • Komente
  • Bota
  • Sport
  • InstaBIZ
  • OPINION WEB TV
    • Emisionet
    • U tha në Opinion
    • Si u Veshën
  • Life Style
    • Shëndeti
    • Jetë dhe Stil
    • Teknologji
    • Kulturë

Të gjitha të drejtat e rezervuara Opinion ©2025
Dev By Techzero1.com