Vladimir Putin nuk ka qenë shumë i njohur kur presidenti rus, Boris Yeltsin, ka emëruar atë në pozitën e kryeministrit më 9 gusht të vitit 1999, çka ka rezultuar të ketë qenë pikë kthese për rritjen e tij meteorike në pushtet.
Mirëpo, disa vjet më herët, në vendin e tij të lindjes në Shën Petersburg, ai ka fituar vëmendjen e ligjvënësve lokalë, të cilët kanë dyshuar të kenë zbuluar një skemë të mashtrimeve në vlerë të disa miliona dollarëve dhe kanë akuzuar nën-kryetarin Putin për organizim të tij.
Kjo në fakt do të përbënte episodin e parë të një serie skandalesh dhe akuzave kundër Putinit, duke përmendur përfshirje në falsifikime, helmime, korrupsion, përvetësim dhe shumë akuza tjera.
Raportime të tilla mund të kishin ndikuar me vdekje politike për liderin e ndonjë shteti tjetër, mirëpo ato duhet se kanë formësuar pushtetin e Putinit.
Me ndihmën e mediave besnike lokale dhe kontrollin e partisë së tij në politikë, ai ka zhdukur shumicën e raportimeve, ndonëse disa prej tyre i ka shfrytëzuar për të forcuar pozicionin e tij.
Teksa Putin hyn në vitin e 21-të si president apo kryeministër i Rusisë, Radio Evropa e Lirë është rikthyer në 21 skandale potenciale, që e kanë lënë atë të padëmtuar.
1) Raporti i Marina Salye (1993)
Në fillim të viteve 1990, në kohën kur Shën Petersburgu është përballur me zvogëlim të sasisë së ushqimit, Putin ka qenë nën-kryetar dhe udhëheqës i komitetit të qytetit për marrëdhënie të jashtme ekonomike.
Ligjvënësja e Shën Petersburgut, Marina Salye, ka drejtuar një komision më 1993, që ka hetuar skemë të kthimit, për të cilën dyshohej se materiale në vlerë të miliona dollarëve janë transferuar jashtë shtetit, në këmbim të ushqimit që nuk ka arritur kurrë.
Raporti i Salye është larguar nga faqet zyrtare (ndonëse ende i qasshëm këtu) ngase në të bëhet thirrje për shkarkim të Putinit dhe zëvendësit të tij, Aleksandr Anikin.
2) Zgjedhjet e vitit 2000
Për dallim nga fitoret e tij të mëvonshme, zgjedhjet e para të Putinit kanë qenë me rezultat të ngushtë. Sipas të dhënave zyrtare, ai ka fituar atë kohë 53 për qind të votave, mjaftueshëm për të mënjanuar një raund të ri zgjedhor, kundër liderit të Partisë Komuniste, Gennady Zyuganov, që kishte dalë i dyti me 29.5 për qind të votave. Megjithatë, Moscow Times ka raportuar se ka gjetur vota të falsifikuara.
“Marrë parasysh se sa i ngushtë ka qenë rezultati, mashtrimet dhe abuzimet duket se kanë qenë vendimtare”, është thënë në versionin anglez të së përditshmes. Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Aleksandr Veshnyakov, pati mohuar ndonjë falsifikim të rezultatit. “Ne nuk kemi asnjë dokument serioz që vë në dyshim rezultatin”, kishte deklaruar ai atëbotë.
3) Fundosja e nëndetëses bërthamore (2000)
Nëndetësja bërthamore Kursk është fundosur në Detin Barents, si pasojë e një shpërthimi më 12 gusht të vitit 2000, apo rreth tre muaj psa mandatit të parë të Putinit. Ai është kritikuar pse ka vazhduar pushimet në Soçi, dhe është kthyer në Kremlin pesë ditë pas fundosjes. Boris Kuznetsov, avokati që ka përfaqësuar 55 prej 118 personave që kanë vdekur në këtë fatkeqësi, e ka përshkruar atë ngjarje si “gënjeshtrën e parë” të Putinit, dhe pikë kthese për Rusinë pas kohës sovjetike.
“Kur Kursk është fundosur, qeveria ka nisur ndërhyrjen përmes sistemit ligjor. Qeveria ka nisur të kontrollojë të gjitha mediat e mëdha. I gjithë procesi i minimit të demokracisë, në shumë aspekte, ka nisur aty”, ka thënë Kuznetsov për Radion Evropa e Lirë.
4) Kriza me pengje në teatër (Tetor 2002)
Militantët nga Kaukazi Verior kanë hyrë në teatrin e Moskës dhe kanë marrë si pengje, audiencën, aktorët dhe pjesën tjetër të stafit më 23 tetor të vitit 2002. Më shumë se 700 pengje janë shpëtuar pasi forcat speciale ruse kanë hedhur gaz toskik në teatër dhe kanë arritur të hyjnë më 26 tetor. Mirëpo më shumë se 130 pengje kanë vdekur, shumica prej tyre, si pasojë e efektit të gazit dhe problemeve tjera gjatë operacionit të shpëtimit.
Përkujtimi i viktimave të Teatrit Dubrovka
Në dhjetor të vitit 2001, Gjykata Evropiane për të Drejta të Njeriut, ka vendosur në të mirë të 64 viktimave dhe ka urdhëruar Qeverinë Ruse t’i paguajë ata 1 milion euro si kompensim. Sipas gjykatës, autoritetet ruse nuk kanë planifikuar si duhet operacionin e shpëtimit.
5) Shpërthimi i Rusisë (2002)
Sulmi i përgjakshëm me bombë më 1999 ka qenë fokusi i librit “Shpërthimi i Rusisë”, që është shkruar nga ish-zyrtari i Shërbimit Federal të Sigurisë (FSB), Aleksandr Litvinenko dhe historiani, Yury Felshtinsky.
I botuar më 2002, ky libër, pjesë të të cilit më vonë janë publikuar në të përditshmen, Novaya gazeta, akuzojnë FSB-në për organizim të bombardimeve për të arsyetuar luftën e dytë post-sovjetike në Çeçeni. Ky libër është i ndaluar në Rusi, pasi konsiderohet “material ekstremist”.
Një komision i pavarur që ka nisur punën më 2002 dhe është drejtuar nga zëvendësi i Parlamentit Shtetëror, Sergei Kovalyov, nuk ka gjetur të dhëna për akuzat që i janë ngarkuar qeverisë.
Anëtari i këtij komisioni, Sergei Yushchenkov është vrarë në prill të vitit 2003, derisa anëtari i komisionit, Yury Shchekochikhin, ka vdekur në situatë të dyshimtë në korrik të vitit 2003. Litvinenko ka vdekur në Londër më 2006 pasi është helmuar me substancë radioaktive.
6) Plagjiaturë (2006)
Instituti Brookings me bazë në Shtetet e Bashkuara ka nisur një raport në vitin 2006, në të cilën supozohet se Putin ka falsifikuar disa pjesë të tezës së tij të diplomës më 1997, në punimin, Mineralet dhe Burimet e Lëndëve të Para, si dhe Zhvillimi i Strategjisë për Ekonominë Ruse. Aty është thënë se ai ka falsifikuar 16 faqe nga 200 faqe sa ka i gjithë punimi.
Më 2018, ish-ligjvënësja ruse, Olga Litvinenko, ka thënë se teza është shkruar nga babai i saj, Vladimir Litvinenko, këshilltari akademik i Putinit, njëherësh rektor i një universiteti në Shën Petersburg.
Putini në anën tjetër nuk ka komentuar kurrë këto akuza.
7) Raporti për sulmin në shkollën në Beslan (2004)
Disa sulmues me armë zjarri kanë sulmuar një shkollë në Beslan, qytezë në rajonin kufitar me Çeçeninë, më 1 shtator të vitit 2004, duke marrë pengje më shumë se 1,000 nxënës dhe prindër. Rreth 48 orë më vonë, personeli i sigurisë ruse ka hyrë në shkollë pas dëgjimit të shpërthimeve. Të paktën 334 persona janë vrarë, shumica prej tyre fëmijë. Sipas autoriteteve, militantët kanë nisur shpërthimin dhe se granatat e nisura nga trupat ruse nuk kanë mundur të shkaktojnë zjarr. Mirëpo një hetim i pavarur nga eksperti për shpërthime, Yury Savelyev ka kundërshtuar këto qëndrime.
“Ne e kemi ditur për një kohë të gjatë se shërbimet e sigurisë duhen fajësuar për vrasjen e gjithë atyre pengjeve. Mirëpo Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm refuzon të dëgjojë dëshminë e personave që kanë qenë aty”, ka thënë ai.
8) Gazpromi (2008 dhe 2014)
Raportimet e Boris Nemtsovit, që është vrarë më 2015 dhe Vladimir Milovit – të dy ish-zyrtarë qeveritarë, që ishin kthyer në kundërshtarë të Putinit – kanë tentuar të shpërfaqin korrupsionin në gjigantin e gazit natyror të kontrolluar nga shteti, Gazprom.
Në disa raporte të dokumentuara më 2008, Gazpromi është përshkruar si “projekt personal i Putinit”.
Në një tjetër raport të vitit 2014, që është fokusuar në shkallën e përdorimit të gazit nga banorët, është parë se shifrat janë rritur për 20 herë më shumë prej kur Putin ka nisur udhëheqësinë, dhe se paratë e fitura kanë shkuar për paga të fryra të stafit menaxherial në Gazprom.
Më 2012, në një shkrim personal në The Moscow Times, ekonomisti dhe autori, Anders Aslund, ka thënë se Gazpromi është një “sindikatë e krimit të organizuar”.
9) Pallati Gelendzhik (2010)
Më 2010, biznesmeni nga Shën Petersburgu, Sergei Kolesnikov, ka nisur një letër tek ish-presidenti, Dmitry Medvedev, duke treguar në detaje për një pallat në Detin e Zi, që dyshohej se po shfrytëzohej nga Putini. Kolesnikov ka pretenduar se ky projekt është financuar nga para të keqpërdorura, kur Putin ka pasur pozitë në udhëheqësinë komunale të Shën Petersburgut.
Fotografitë e asaj shtëpie më vonë janë publikuar në versionin rus të Wikileaksit. Ky ka qenë raporti i parë por jo edhe i fundit i një shtëpie luksoze që është thënë ta ketë shfrytëzuar Putini.
10) Dekada e Parë e Putinit (2011)
Një raport i Nemtsovit dhe Milovit më 2011, jo vetëm që ka dokumentuar dyshimet për korrupsion gjatë dekadës së parë të Putinit në pushtet, mirëpo ka paraqitur edhe ato që është thënë të kenë qenë rezultate: numri i popullsisë ka rënë për gjysmë milioni brenda vitit; është rritur pabarazia mes të pasurve, si dhe është zvogëluar fondi kombëtar për pensione.
“Tani ne e dimë përgjigjen e pyetjes ‘Kush është Putini?’ Putini është korrupsioni, censura, varësia në burime natyrore dhe pabarazia shoqërore”, është thënë në raport.
11) Jeta e një “skllavi” (2012)
Putini një herë kishte bërë shaka duke thënë se punon si “skllav” për popullin rus. Megjithatë në një raport nga Nemtsov dhe Milov, është thënë se ai mund të jetë skllavi “më i pasur” në botë. Orat e dorës me ar të bardhë, disa jahte dhe të paktën një aeroplan, janë vetëm disa prej përfitimeve të të qenit president, është thënë në raport.
“Më 2012 Putin ka deklaruar pasurinë e tij në vlerë të 3,661,765 rublave. Në mënyrë që të blejë koleksionin e tij me ora, që kanë vlerën e 22 milonë rublave, atij do t’i duhej të punonte pa ngrënë apo pirë për gjashtë vjet”.
12) Olimpiada në Soçi (2013)
Në një tjetër raport nga Nemtsov dhe Milov, është pretenduar se miliarda dollarët e ndarë për Lojërat Olimpike Dimërore të Soçit më 2014, janë vjedhur.
Sipas të dhënave, 30 miliardë dollarë janë vjedhur për këto lojëra.
“Përfundimi ynë nga kapitulli i parë i raportit është se gjatë përgatitjes për Olimpiadë, 25-30 miliardë dollarë janë vjedhur”, ka thënë Nemstov.
13) Fluturimi MH17 (2014-vazhdon)
Organizata hulmutuese britanike, Bellingcat, ka nisur të mbledhë të dhëna dhe të analizojë situatën pak pas rrëzimit të aeroplanit të kompanisë, Malaysia Airlines në lindje të Ukrainës në korrik të vitit 2014, duke lënë të vdekur të gjithë 298 personat në aeroplan.
Bellingcat ka treguar se si një sistem rus u është ofruar separatistëve në lindje të Ukrainës, dhe aeroplani është rrëzuar përmes një rakete.
Rusia ka mohuar të ketë pasur ndonjë rol në rrëzimin e aeroplanit me pasagjerë, duke ofruar shumë arsye tjera se pse ka mundur të rrëzohet aeropani, pavarësisht pse të gjitha janë kundërshtuar nga hetuesit.
Shumica e të dhënave të kësaj organizate për fluturimin MH17, janë konfirmuar nga një ekip i drejtuar nga holandezët, i cili ka gjetur se raketa që ka rrëzuar aeroplanin është nisur nga sistemi rus, Buk, i cili është dërguar dhe më pas kthyer mbrapsht në Rusi për një kohë të shkurtër.
13) Sistemi rus i pastrimit të parave (2014)
Një raport i Projektit për Raportim të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, ka treguar se si kriminelët e organizuar dhe politikanët e korruptuar në Rusi kanë shpërlarë para në vlerë të 20 miliardë eurove, duke përdorur kompani jashtë vendit, llogari të rreme dhe banka të ndryshme.
Në lidhje me këto të gjetura, kjo Organizatë e ka shpallur Putinin më 2014 si “ Njeriun e Vitit për Krim të Organizuar dhe Korrupsion”.
15) Lufta në Ukrainë (2015)
Shkrimet e fundit të Nemtsvoit janë publikuar disa muaj pasi ai është qëlluar për vdekje në 27 shkurt të vitit 2015 në Kremlin. I kompletuar nga Ilya Yashin, dokumenti 65-faqësh, i quajtur, Lufta e Putinit, tregon detajet e marrjes së Krimesë nga forcat ruse në shkurt të vitit 2014 dhe pozicionimin e tyre për t’iu ndihmuar separatistëve për të luftuar në lindje të Ukrainës.
“Lufta frikacake që Putini ka nisur, do t’i kushtojë shumë vendit tonë. Ne do të paguajmë për këto aventura me jetët e ushtarëve tanë, me krizë ekonomike dhe izolim politik”, është thënë në raport.
Rusia ka mohuar përfshirjen në luftë, e cila ka lënë të vdekur rreth 13,00 persona, pavarësisht të dhënave se separatistët janë furnizuar vazhdimisht me armë dhe në mënyra tjera.
16) Hetimet për Litvinenkon (2016)
Aleksandr Litvinenko, ish zyrtar i FSB-së dhe kritik i Kremlinit, ka vdekur në Londër më 2006, si pasojë e helmimit me substanca radioaktive. Hetuesit britanikë kanë thënë se ai është helmuar me polonium-210, në një hotel në Londër, nga ish-zyrtari i FSB-së, dhe anëtari aktual i parlamentit rus, Dmitry Kovtun, që dikur ka qenë edhe zyrtar i KGB-së.
I nisur më 2016 nga gjyqtari i pensionuar britanik, Sir Robert Owen, hetimi për Litvinenkon ka gjetur se Putini dhe shefi i tij për spiunim në atë kohë, Nikolai Patrushev, “ka mundësi të kenë miratuar” helmimin e Litvinenkos. Para se të vdiste, Litvinenko ka shkruar një letër, duke akuzuar Putinin se ka dhënë urdhër për vrasjen e tij.
Ai po ashtu ka akuzuar Putinin edhe se ka dhënë urdhër për të vrarë gazetaren hulumtuese, Anna Politkovskaya, e cila është qëlluar për vdekje, më pak se dy muaj para vdekjes së Litvinenkos. Kremlini ka mohuar se Putini ka qenë i përfshirë në këto vdekje.
17) Raporti The McLaren (2016)
Një raport me dy pjesë nga avokati kanadez, Richard McLaren për Agjencinë Botërore Kundër-Dopingut, ka gjetur që më shumë se 1,000 garues rusë, në më shumë se 30 sporte kanë qenë në përfshirë në një “komplot institucional”, për të fshehur rezulatet pozitive të ilaçeve në periudhë pesëvjeçare.
Vitaly Mutko, atëbotë ministër për Sport dhe tani zëvendës-kryeministër, ka qenë i përmendur, mirëpo nuk ka pasur “të dhëna të drejtpërdrejta” se ai ka pasur njohuri për programin e dopingut. Putini nuk ka qenë i përfshirë në atë raport.
Pjesa më e madhe e materialit për këtë hetim është ofruar nga Grigory Rodchenkov, ish-udhëheqës i laboratorit rus kundër dopingut. Ai ka thënë për një dokumentar gjerman se Putin ka pasur njohuri për këtë program. Rodchenkov, që më vonë është konsideruar si “budalla” nga Putini, tani jeton në Shtetet e Bashkuara nën mbrojtje.
Dy zyrtarë tjerë rusë të zyrës anti-doping, Nikita Kamayev dhe Vyacheslav Sinyev, kanë vdekur në mënyrë misterioze më 2017.
18) Letrat e Panamasë (2016)
Bazuar në dokumentete ligjore dhe ato financiare të njohura si Letrat e Panamasë, miqtë dhe aleatët e Putinit, kanë përdorur një varg strukturash jashtë shtetit për të transferuar para në gjithë botën. Shoku i Putinit për një kohë të gjatë, Sergei Roldugin, ka qenë i lidhur me këto letra, përkatësisht me transaksione në vlerë të 2 miliardë dollarëve.
Putin ka mbrojtur shokun e tij, duke thënë se muzikanti “ka shpenzuar të gjitha paratë e fituara në botë dhe i ka sjellë në Rusi”. Ai po ashtu ka pretenduar se të ashtuquajturat Letrat e Panamasë kanë qenë një komplot i zyrtarëve të Qeverisë amerikane dhe agjencive të tyre të spiunimit.
19) Paratë e Putinit (2017)
Një raport i Projektit për Raportim të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, dhe të përditshmes ruse, Novaya gazeta më 2017, ka thënë se rrethi i ngushtë i shokëve dhe familjarëve të Putinit ka pasuri në vlerë të 24 miliardë dollarëve.
Aty janë veçuar tre aleatë të ngushtë të presidentit rus: Mikhail Shelomov, Sergei Roldugin, dhe Pyotr Kolbin – që konsiderohet se kanë fituar pasuri në mënyrë të dyshimtë.
“Ata prentedojnë se nuk janë biznesmenë, nuk janë të njohur në publik dhe në disa raste ata kanë pak njohuri edhe për pasurinë që është e regjistruar në emrat e tyre”, është thënë në këtë hulumtim.
20) Migrimi i trurit (2019)
Secilën herë e më shumë rusët janë duke u larguar nga Rusia e Putinit. Të paktën ky ka qenë përfundimi në një raport të këtij vitit të përpiluar nga Këshilli Atlantik me bazë në Uashington, i cili është ndaluar në Rusi pasi është konsideruar si “kërcënim” për sigurinë e shtetit.
Në raport është gjetur se prej kur Putini është bërë president, nga Rusia janë larguar 1.6 deri në 2 milionë rusë, nga 146 milionë sa janë në total.
Aty është thënë se këtij procesi i ka kontribuuar edhe zogëlimi i shifrave të ekonomisë dhe rritja e presionit.
21) Shtypja e kundërshtarëve (2019)
Një raport i publikuar në prill të këtij viti, i titulluar “Të burgosurit politikë të Kremlinit: Agjenda Politike duke shtypur kundërshtarët”, ka dokumentuar atë që është cilësuar si rritje e vazhdueshme e presionit ndaj fjalës së lirë, pasi numri i të burgosurve politikë në Rusi është rritur nga 50 në më shumë se 250 në katër vjetët e fundit.
Kremlini i Putinit “është edhe një herë i lidhur me ndalime të aktivistëve, kundërshtarëve të regjimit dhe minoriteteve”, është thënë në raport, duke shtuar se një fushatë e tij është ndihmuar nga “ndryshimet ligjore që janë të hartuara për të kriminalizuar veprimet e përditshmërisë”, siç janë protestat apo postimet në rrjetet sociale.
Ky raport është publikuar disa muaj para shtypjes së protesave, të cilat janë organizuar pasi kandidatëve të pavarur dhe atyre opozitarë nuk është mundësuar gara për zgjedhjet e Parlamentit të Moskës, në zgjedhjet që do të mbahen në muajin shtator. REL