Nga Tepelena, kryeministri Edi Rama nga Tepelena thotë se shpallja e Vjosës Park Kombëtar është një moment historik.
Kreu i qeverisë, tha se ky status i hap rrugë mbrojtjes së lumit të vetëm të egër në Europë, ndërsa nuk la pa ‘thumbuar’ edhe të gjithë europianët që bënë fushatë për mbrojtjen e Lumit Vjosa.
Rama tha se pasi BE zbuti lumenjtë e tyre të egër dhe i shfrytëzoi për interesat e tyre, u turrën te Vjosa që ta mbrojnë nga zbutja.
“Ky është një moment realisht historik në përpjekjen për mbrojtjen e natyrës dhe transformimin e mendësisë lidhur me natyrën si një hapësirë e përbashkët ku zhvillimi ekonomik, zhvillimi social dhe trashëgimia për brezat që vijnë si një stafetë e mirëqenies mund të shihet dhe duhet të shihet krejt ndryshe nga sa rëndomë jemi mësuar duke e kërkuar tek shfrytëzimi pa kriter dhe karar i natyrës. Ky është një moment i rëndësishëm për vendin tonë sepse sanksionojmë atë që kemi dëshiruar shumë që në krye të herës, atë për të cilën jemi zotuar kur kemi marrë mandatin për të qeverisur dhe atë që për ta bërë realitet na u desh kohë pasi nuk është një venim i lehtë, shpalljen e Vjosës Park Kombëtar. Më vjen mirë që ja dolëm kësaj ndërmarrjeje sfiduese dhe patjetër që jam shumë mirënjohës të gjithë atyre që kontribuuan për të ardhur deri këtu, veçoj dy njerëz Mirelën ministren dhe Adelinën drejtoren e agjencisë kombëtare të planifikimit,. Të cilat me shumë këmbëngulje bashkërenduan shumë forca që u bëtë bashkë në këtë proces. Mbrojmë përgjithmonë lumin e fundit të egër të europës. Në këtë rrugë për të ardhur deri këtu patëm shumë europainë që pasi zbutën lumenjtë e tyre të egër dhe i shfrytëzuan për interesat e tyre, u turrën te Vjosa që ta mbrojnë nga zbutja. Pasi i kthyen tigrat e natyrës së tyre në mace shtëpiake, u turrën drejt nesh që të mos guxojmë të zbusim tigrin tonë. Është kënaqësi që iu japim mundësi që atyre të bëjnë një larje sado të sipërfaqshme të ndërgjegjes së tyre”,-tha Rama.