Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunaçek, në një intervistë për Radio Evropa e Lirë ka thënë se përveç kushtit të demarkacionit për liberalizim të vizave duhet të ofrohen dëshmi konkrete për dënimet e nivelit të lartë për krim të organizuar dhe korrupsion.
Lunaçek theksoi se çështja e liberalizimit të vizave është në duart e Kuvendit të Kosovës, që duhet ta votojë demarkacionin me Malin e Zi dhe njëkohësisht në qeverinë e Kosovës, që duhet të ofrojë dëshmi konkrete për dënimin e rasteve të nivelit të lartë për korrupsion dhe krim të organizuar, dhe nëse kjo nuk ndodh deri më 5 shtator, nuk mund të sigurohet as votimi në Parlamentin Evropian.
Sipas Lunaçek, Kosova duhet të përfundojë me dënimet e rasteve të nivelit të lartë për korrupsion dhe krim të organizuar. Komiteti për Politikë të Jashtme i Parlamentit Evropian votoi të enjten në mbështetje të liberalizimit të vizave për Kosovën, pas shtyrjes së votimit në një komitet tjetër, nga raportuesja Tanja Fajon.