Këto janë pronat që fshihen pas huave që e la Monte dei Paschi-n në miliarda borxhe të këqija
Fermat e braktisura të rrethuara nga akra me vreshtat më të mira të Toskanës, të njohura si pronat e Aquilaia, qëndrojnë si monument dështimi – i dhjetëra miliarda euro në kredi të këqija që fundosën bankën më të vjetër në botë.
E lindur rreth së njëjtës kohë me Michelangelo-n, Banka Monte dei Paschi di Siena, u “thërrmua” nën rëndesën e kredidhënieve të tepruara, të cilat janë kthyer në dhimbje koke për taksapaguesit italianë, pasi qeveria u shpreh në dhjetor se do ta marrë përsipër për ta ndihmuar. Ndërkohë që banka shprehet se ka kontabilizuar tashmë pjesën më të madhe të humbjeve të mundshme, skeptikët thonë se shenjat nuk janë premtuese.
“Ka gjasa që Monte dei Paschi-t do t’i duhet më shumë ndihmë për të zgjidhur problemet e saj”, tha Pierluigi Piccini, 64 vjeç, një ish-kryetar i Sienës dhe një ish-menaxher i bankës në Paris, ndërsa pinte një kafe pranë Piazza del Campo, sheshi ikonik ku dy herë në vit organizohet gara me kuaj e njohur si Palio. “Më e keqja ende s’ka ardhur”.
Një zëdhënës i Monte dei Paschi refuzoi të komentojë mbi kreditë dhe vlerën e aseteve në aktiv.
Edhe në një vend ku bankat mbajnë pothuajse 360 miliardë euro (388 miliardë $) të huave të pakthyera në afat, rreth € 6,000 për person – Monte dei Paschi, dallon. Pothuajse 35% e të gjitha kredive të saj janë konsideruar problematike në qershor, sipas të dhënave të hartuara nga PricewaterhouseCoopers.
Pas ofertës publike fillestare të bankës në vitin 1999, kreditë neto të Monte dei Paschi pothuajse u trefishuan në një kulm prej 155 miliardë eurosh në vitin 2010.
Me këtë dhe pavarësisht ndihmës shtetërore në 2009 dhe 2013 – vlera bruto e aseteve joperformuese është rritur shtatë herë në dekadën e kaluar, në vlerën e 47 miliardë euro në fund të 2015-s. Një pjesë e saj është e lidhur me kodrat piktoreske që kanë tërhequr turistë, verëbërësit dhe kultivuesit e ullirit për shekuj me radhë. Ajo çka nuk ka tërhequr më shumë kohët e fundit, janë investitorët.
Monte dei Paschi derdhi rreth 3 milionë euro në pasuritë e Aquilaia, vlerë e marrë hua për ta kthyer atë në një kompani që prodhon 1 milion shishe në vit, që përfshinte verën e kuqe të Morellino di Scansano, sipas dokumenteve private dhe publike. Tani banka ka ngecur me një kredi të papaguar dhe me asnjë blerës për një pronë në treg për më pak se gjysmën e vlerës së borxhit.
Një gjykatë lokale në Grosseto dështoi në të paktën dy përpjekje për të nxjerrë në ankand pronën, edhe pas uljes së çmimit minimal të pranueshëm në 1.3 milionë euro, bazuar në dokumentet e gjykatës. Prona do të ofrohet edhe një herë për një vlerë edhe më të vogël, edhe pse jo deri në vitin 2018, për shkak të një numri të mbetur të sekuestrove, sipas një punonjësi të gjykatës, i cili kërkoi të mos identifikohej, sepse çështja është private.
“Pas krizës lokale të pasurive të patundshme, është vështirë të shesësh prona në ankand”, tha Lorenzo Mascagni, një avokat në Grosseto.
Aty pranë, në Scansano, është një tjetër dështim, Aia della Macina. Kompleksi turistik gjysmë i ndërtuar, me pamje nga ferma dhe vreshtat, u mbështet nga një kredi 1,6 milionë euro nga Monte dei Paschi në vitin 2002. Banka sekuestroi në vitin 2006 dhe prona më pas u vu në treg për 2 milionë euro. Edhe pas gjashtë ankandeve, nuk doli asnjë blerës.
Gjykata do të përpiqet sërish këtë vit dhe do të ulë çmimin minimal të pranueshëm në 733.000 euro, sipas dokumenteve në Astalegale.net, një faqe interneti për reklamimin e ankandeve ligjore.
“Çmimet e ankandeve gjyqësore janë ende tepër të larta”,- tha Luca Desideri, 46 vjeç, një agjent i pasurive të patundshme në Grosseto. “Nuk ka çmim për këto prona thjesht sepse nuk ka blerës”.
“Huamarrja ishte e lehtë në atë kohë”, tha Alessandro Sabatini, 36 vjeç, i cili menaxhon një dyqan vere në qytetin e Scansano për më shumë se 15 vjet. “Shumë projekte vere u zhvilluan pa një plan biznesi të vërtetë”.
Investitorët e blerjeve të borxheve me probleme janë duke iu ardhur rrotull bankave italiane për vite të tëra për të vënë në duart e tyre portofolat e huave joperformuese. Fondet e menaxhuara nga Fortress and Pimco janë aktualisht në bashkëpunimin me UniCredit, huadhënësi më i madh i Italisë, për të siguruar një pjesë në kompanitë që menaxhojnë rreth 18 miliardë euro të kredive të këqija.
Megjithatë Monte dei Paschi është më i dobët dhe nuk ka qenë në gjendje të përballojë humbjet si konkurrentët e saj italianë, pa shkelur standardet rregullatore të Bankës Qendrore Europiane (BQE). Filialit të Bankës në Siena iu desh të mbante pjesën më të madhe të borxhit të saj të hidhur, në bilancin e saj. Shitja me një çmim të ulët për të joshur investitorët do të kishte detyruar huadhënësit të shtrëngonin kapitalin e tyre për të ulur kriteret e vendosura nga BQE.
“S’mund të shesësh këto prona përveçse në rastin kur çmimi është të paktën më pak se gjysma e vlerës përpara krizës”, tha Amelia Colvin, një specialiste e borxheve me probleme, e cila punon në Londër dhe Milano për Cadogan Securities. “Vetëm kur përpiqen të shesin asetet, bankat kuptojnë se ato vlejnë shumë më pak nga çfarë prisnin”.
Banka shpreh përkushtimin e saj për të shitur 27.7 miliardë euro të huave të këqija.
Kjo zgjidhje synonte të ndiqte 5 miliardë euro për Shitjen e Aksioneve. Por kur çështja e të drejtave dështoi, qeveria tha se do të ndërhynte dhe do të mbushte deficitin e kapitalit që sipas Bankës Qendrore Europiane është 8.8 miliardë euro.
“Më shumë hua të këqija mund të dilnin të ‘hidhura’ pas këtij sistemimi”, tha Massimo Famularo, këshilltar në ujditë e huave të këqija, në Frontis NPL, me bazë në Milano.
Një vit pasi qeveria italiane transferoi borxhet e hidhura të huadhënësve si Banca Etruria, Banca Marche dhe CariChieti në një bankë të keqe, ata kishin tashmë të paktën 2.2 miliardë euro kredi të këqija të reja në bilancet e tyre.
Përreth Sienës, Monte dei Paschi është i njohur si Babbo Monte, duke përçuar termin toskan për babush, falë mbështetjes së saj historike në komunitetet përreth dhe nëpërmjet mënyrës së themelimit të saj që kontrollohej nga politikanët lokalë të cilët zotëronin pjesën më të madhe të aksioneve në bankë deri në vitin 2014, tha Roberto Porciatti, 39 vjeç, i cili drejton një pastiçeri në qendër të qytetit. “Para krizës thjesht kërkoje para dhe Babbo Monte do t’i siguronte ato”,- tha Francesco Zampetti, 74 vjeç, një asistent dentar në pension dhe banor i Sienës, teksa hante mëngjesin e tij në Porciatti’s.
Pas kuotimit në bursë, horizontet e Monte dei Paschi-t u zgjeruan.
Banka gjendet në një situatë kritike me kompaninë e ndërtimit bazuar në Romë, impreME, në pronësi të familjes Mezzaroma, e cila nuk po arrin të shesë pronat e saj rezidenciale në periferi të kryeqytetit. Monte dei Paschi rriti ekspozimin e saj ndaj kompanisë në të njëjtën kohë kur ish-kryetari, Massimo Mezzaroma, bleu skuadrën e futbollit të Sienës, në atë kohë të pozicionuar në “top-listë”, sipas njerëzve të njohur me çështjen të cilët kërkuan të mos identifikoheshin me qenë se informacioni ishte privat. Skuadra e cila ishte gjithashtu e sponsorizuar nga banka, dështoi në vitin 2014.
Monte dei Paschi llogaritet me më shumë se 200 milionë euro të borxhit total të ImpreMe, rreth 300 milionë euro, tha personi sipërpërmendur.
“ImpreMe është ende një kompani me aftësi paguese dhe po punon me Monte dei Paschi që të ristrukturojë borxhin”, – tha Benedetoo Marcucci, zëdhënës i kompanisë në Romë.
Edhe pronat luksoze kanë pasur vështirësi në gjetjen e blerësve.
Në veri të Scansano shtrihet kështjella mesjetare e Montepo dhe 1000 akrat e saj me vreshta dhe pemë ulliri. Pronari, Jacopo Biondi Santi, trashëgimtar i një familje aristokratike që krijoi verën e kuqe Brunello di Montalcino në shekullin e 19, mori borxh pothuajse 18 milionë euro nga Monte dei Paschi, sipas njerëzve të cilët kishin informacion mbi këtë çështje. Banka e sekuestroi në vitin 2011, dhe në nëntor prona ishte vënë në ankand për 13 milionë euro nga Gjykata e Grosseto-s.
Prona nuk mori asnjë ofertë. Megjithatë prona do të tërhiqet nga ankandi sepse Biondi Santi premtoi se do të paguante borxhin e papaguar, pasi familja e tij shiti një pjesë të kompanisë të një prone të madhe vere, pranë Sienës në dhjetor, sipas Giovanni Gatteschi, avokatit të tij, në Arezzo.
“Biondi Santi do të paguajë të gjithë borxhet e tij deri në fund të muajit”, – tha ai. Midis huamarrësve të Monte dei Paschi-t, “ai është një nga të paktët që do të shlyejë borxhin e tij tërësisht”./ Monitor.al