Forcat zjarrfikëse kanë punuar gjithë natën për të shuar zjarrin që ra pasditen e djeshme në qafën e Llogarasë, pranë vendit ku hidhen parashutistët.
Në ndihmë ka shkuar dhe ushtria dhe mësohet se rreth orës 04:00 është arritur që flakët të vihen nën kontroll dhe po punohet për të shuar të gjitha vatrat si dhe po kontrollojnë zonën për të mos pasur aktivizim të flakëve.
Drejtori i Përgjithshëm i Zjarrëfikses, Arben Carai, në një prononcim për median tha se zjarri ka qenë i qëllimshëm.
“ Vatrat e zjarrit patjetër që kanë dorën e njeriut. Nuk do të ketë asnjë lloj tolerimi. Zjarri do të hetohet dhe policia e shtetit është duke gjurmuar autorët e zjarrvënies. Së shpejti do të jenë para ligjit ku dhe do të jetë shumë i ashpër. Kodi Penal e ka përcaktuar që zjarrvënia është vepër penale e ne nuk do të ndalemi bashkë me policinë që këto zjarrvënës të japin llogarinë për këtë katastrofë natyrore”
Ndërkohë mbrëmë u arrit të shuhej zjarri në kodrën e Gjilekës në Dhërmi.