Trajneri italian i kombëtares shqiptare, Gianni De Biasi, ka qenë në ankth gjatë ndeshjes me Francën, sidomos në pjesën e dytë, kur ka parë të tijtë të “fiken” pak e nga pak fizikisht, ndërsa transalpinët po e shtonin “gazin”, duke ushtruar një presion asfiksues, që arriti pas 89 minutash lojë të thyente mbrojtjen tonë heroike. Ishte pikërisht lojtari i sapofutur në vend të gjigandit Ajeti, Frederik Veseli, që nuk markoi sulmuesin francez, Griezman, duke i dhënë këtij të fundit komoditetin e duhur për të goditur me kokë dhe çuar dëm tërë atë mund e djersë të kuqezinjve.
Një “bast” i humbur i De Biazit ky, me Veselin, përfshirja e të cilit në listën e 23 lojtarëve shkaktoi shumë polemika. Sidoqoftë, 60-vjeçari nga Sarmede e Italisë, që sot ka ditëlindjen, ka reaguar plot pasion gjatë gjithë ndeshjes kundër Francës, ku më së shumti ka qëndruar në këmbë. Pasi e nisi duke kënduar himnin shqiptar, ai në një rast u pa shumë i sinkronizuar me ndihmësin e tij, Paolo Tramazzani, në lëvizjen e duarve, duke udhëzuar kuqezinjtë në fushën e blertë.
Ndërkohë, në rastin kur Franca shënoi golin e parë, De Biazi u pa ta godiste ndihmësin e vet, për të shfryrë në këtë mënyrë zemërimin dhe zhgënjimin. Sidoqoftë, Veseli është “veto” e tij, ndaj u vërtetua shprehja jonë popullore, që thotë se “fija këputet aty ku është më e hollë”. Nëse në vend të Ajetit do të ishte futur Gjimshitit, apo Rrahmani, që u dërguan në shtëpi, a do të ishte lejuar të “hidhte valle” Griezman në zonën tonë? Përgjigjia mund të merret me mend sipas “midesë” së gjithkujt, por Veseli e la sponsorizuesin e tij në baltë, në momentin më kritik.