Ambicja për të grumbulluar sa më shumë vota në zgjedhje mund ta bëjë dhe një librazhdiot që nga vallja e Rrajcës të tërheq edhe vallen e Kukësit.
Socialisti nga Librazhdi, Taulant Balla, i cili i ka mbijetuar shumë herë “dallgëve” politike, këtë herë ka trazuar ujërat duke u shfaqur teksa prin vallen e Kukësit.
Në një postim në faqen e tij zyrtare në “Facebook”, Taulant Balla ka shpërndarë videon e tij duke kërcyer vallen e Kukësi, ku siç shihet nuk i mungon energjia për të kapur lëvizjet e shpejta që ia imponon kjo valle.
Me të njëjtën shpejtësi që acaron Sali Berishën dhe Flamur Nokën në Parlament, Balla shihet teksa tërheq vallen si një librazhdiot i shartuar në kuksian.
Mesa duket, deputetit më të votuar në qarkun e Elbasanit në vitin 2021, këtë herë i duhet që të ngrihet e të kërcejë për të siguruar X e “artë” në fletën e votimit për PS dhe kandidatët e saj.
Kujtojmë që kërcimi për politikanët jo gjithmonë ka rezultuar i suksesshëm. Shembulli më i mirë janë deputetët e PD, të cilët me plotë pasion kërcyen me këngën e dedikuar ndaj Sali Berishës, por pas publikimit të listës së kandidatëve, u zhgënjyer pasi i nxori në listë të hapur që të votohen drejtpërdrejtë nga qytetarët.