Ngjarja e sotme kriminale në Kashar ka në sfond një tjetër ngjarje kriminale të ndodhur po në këtë fshat një vit më parë. Altin Aluku, djali i Skënder Alukut, personit të vrarë mëngjesin e sotëm në Kashar, vrau nëj vit më parë ish-vjehrrin Lutfi Xhaferri dhe plagosi rëndë ish-vjehrrën Naime Xhaferri. Shkak për këtë ngjarje mendohet se u bë prishja e një krushqie. Aluku u kap vetëm pas 24 orësh në fshatin Prush, ku u angazhuan rreth 150 forca policie.
Prishja e krushqisë dhe mohimi për të rifejuar vajzën me të njëjtin djalë, është arsyeja e vrasjes dhe plagosjes së bashkëshortëve Xhaferri.
Altin Aluku ka qenë i fejuar me vajzën e viktimës rreth pesë vjet më parë, por ishin ndarë për shkak se i dyshuari si vrasës njihet si person problematik dhe konsumues i alkoolit.
39vjeçari kishte kërkuar të rifejohej me vajzën e familjes Xhaferri, por kjo e fundit kishte refuzuar, gjë që ka shkaktuar edhe ngjarjen e rëndë.