Është ende fillimi i sezonit, por Kolorado Rapids e ka marrë seriozisht dhe po bën një punë të shkëlqyer. Mbrëmjen e së shtunës skuadra e Shkëlzen Gashit fitoi 1-0 ndaj Real Solt Lejk, një rival direkt për kreun në Konferencën e vet. Fitorja, sigluar nga mesfushori në superformë Xhermejn Xhons në fillimin e pjesës së dytë, e ngjit në krye Koloradon, që po habit të gjithë, pasi vjet e mbylli e fundit dhe tifozët ishin skeptikë në prag të sezonit. E djeshmja ishte fitorja e pestë në po aq ndeshje shtëpiake këtë sezon për Koloradon, gjë që nuk ndodhte prej më shumë se një dekade. Gashi ishte si zakonisht titullar, rrezikoi shpesh portën kundërshtare dhe u ndëshkua edhe me karton të verdhë, duke shkëlqyer taktikisht, sepse bën meafushorin e krahut dhe sulmuesin njëkohësisht.