Kur presingu dhe amatorizmi përzihen me njëri-tjetrin, shpesh prodhojnë gola spektakolarë. Për shembull, topi të prekë rrjetën, kur kundërshtari praktikisht as që “i ka marrë erë”.
Edhe pse nja 2-3 skuadra shqiptare mund ta realizojnë lehtë, me apo pa dashje, bazuar te precedentët e së kaluarës, këtë na e mësojnë më mirë se kushdo estonezët. Një episod i tillë ka ndodhur në ndeshjen e Kupës, Levadia Tallinn-Paide, të martën, me videon e golit që ka bërë xhiron e globit.
Nis ndeshja, Paide shkelmon topin nga qendra, disa pasime afër portës, një kthim mbrapa i sferës dhe… autogol! Bota perëndimore këtë rast e quan gafë, por pyesni një herë Safet Gjicin si do të reagonte, nëse kjo do t’i ndodhte Kukësit!